OSHEE është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve dhe në terren grupet e punës janë duke punuar për eliminimin e defekteve të shfaqura gjatë dy ditëve të fundit prej motit të keq, kryesisht me erëra të forta (vlerë maksimale 108 km/h) dhe ulje temperaturash deri në 10 gradë Celsius.
Sa më lartë, OSHEE ka vendosur në gatishmëri rreth 2200 punonjës, të shpërndarë në nyjet kritike të rrjetit elektrik, duke nisur nga nënstacionet, linjat 35 kV, e deri në nivel kabinash dhe kabull TU.
Aktualisht situata paraqitet e stabilizuar, falë reagimit në kohë të brigadave të terrenit për riparimin e defekteve. Energjia është rikthyer për 97% të abonentëve në zonat me defekte, në raport me 24 orët e fundit.
Nga raportimi i fundit, problematika shfaqen kryesisht në pjesën verilindore të vendit si Has e Tropojë, si dhe në Pukë e Laç. Në Tiranë, grupet e punës janë duke riparuar avarinë në fiderin 327 të nënstacionit Selitë, proces i cili po zhvillohet në kushte jo të favorshme, pasi mbi rrjetin elektrik tension i mesëm është ndërtuar një pallat.
Drejtuesi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Petraq Lika deklaron se avaritë janë shfaqur në zonat rurale (86% në rang vendi) për shkak të këputjes së përcjellëseve, dëmtim izolatorësh, kabllo, etj.
Lika thotë se falë masave të marra në investime, mirëmbajtje dhe organizim gatishmërie, kemi një përmirësim të cilësisë së furnizimit me 25%, shkurtim të kohës së riparimit dhe uljes së numrit të defekteve, në raport me një vit më parë.