Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar marrëveshjen e tij me presidentin francez, Emmanuel Macron, për të nisur një “dialog strategjik” midis dy vendeve. “Sapo përfundova një takim shumë interesant dhe të frytshëm me mikun tim, presidentin francez Emmanuel Macron”, tha Netanyahu në një intervistë televizive. Ai tha se në takim janë diskutuar disa tema rajonale, përfshirë për Iranin, Irakun, Sirinë, Libanin, Turqinë dhe Libinë. “Ne u pajtuam për të krijuar një dialog strategjik midis Izraelit dhe Francës, që do të vazhdojë bashkëpunimin midis vendeve në interesat tona të përbashkëta. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm në politikën e jashtme të Izraelit dhe do të na ndihmojë neve për të arritur shumë gjëra me rëndësi sa i përket sigurisë së shtetit”, theksoi Netanyahu.
Ndërkaq, Zyra për shtyp e kryeministrit izraelit në një deklaratë me shkrim tha se kryeministri izraelit kërkoi nga presidenti francez të ushtrojë “presion dhe sanksione që janë zbatuar ndaj Iranit pas hapave të ndërmarra nga Teherani në fushën bërthamore dhe veprimeve agresive të tij në rajon”. “Kryeministri Netanyahu diskutoi me presidentin Macron për situatën në Liban si dhe për projektin e prodhimit të raketave precize nga Hezbollahu dhe për ngjarjet që po ndodhin në Libi”, tha Zyra e kryeministrit izraelit.
Sipas deklaratës, Netanyahu dhe Macron vendosën të fillojnë një “dialog strategjik” midis dy vendeve dhe po ashtu për të arritur qëllimet e tyre lidhur me çështjet rajonale. Netanyahu përshëndeti kërkesën e presidentit francez për t’u bashkuar në Forumin e Gazit të Mesdheut Lindor, i cili së fundmi është themeluar në Kajro. Macron mbërriti në Izrael mbrëmë për të marrë pjesë në Forumin e 5-të Botëror të Holokaustit, i cili do të mbahet gjatë ditës së nesërme në Kudsin Perëndimor.//AA