Bota e futbollit është në zi, si krejt sporti në përgjithësi. Kobe Bryant vdiq dje në një aksident me helikopter. Një legjendë largohet nga skena njerëzore, jo vetëm e basketbollit, por e gjithë sportit botëror. Ky lajm tronditi dukshëm jo vetëm tifozët dhe njerëzit e zakonshëm, por edhe klubet e lojtarët e futbollit. Të gjithë kanë reaguar menjëherë, të prekur prej ndarjes nga jeta e legjendës së basketbollit në moshën 41-vjeçare, duke përfshirë Neymar, i cili, me rastin e ndeshjes Lille-PSG, dëshironte të bënte homazhe në mënyrën e tij ndaj basketbollistit të ndjerë amerikan.

Në momentin e festimit të golit që vulosi fitoren (0-2) e të tijve, sulmuesi brazilian iu drejtua kamerave, duke bërë me duar shenjën e “24”, numrit historik që ka mbajtur Kobe Bryant gjatë karrierës së tij në NBA. Këto janë fjalët e ish-yllit të Barcelonës: “Gjatë pushimit të ndeshjes lexova mesazhet për Bryant dhe pashë që ai kishte vdekur. Është një ditë e trishtuar për të gjithë ne, i gjithë sporti vajton për vdekjen e tij. Ia dedikova atij golin që shënova sonte, gjesti që bëra me duar i përket numrit të tij. Uroj të pushojë në paqe”