Ecuria e markave të luksit ka ardhur në rritje me kalimin e viteve. Por, problematika qëndron në mentalitetin e autenticitetin e një firme, të qenit një treg i vogël për të sjellë marka të shtrenjta, si dhe zhvillimi i tregut të dorës së dytë për markat e luksit. Kriza po ndihet te çantat e veshjet e shtrenjta, por jo te bizhuteritë, kujdesin për veten, fytyrën dhe operacionet plastike
Nga Deada Hyka
Ndonëse Shqipëria është një treg i vogël, si në sektorin e veshjeve, ashtu edhe në prej vitesh ka përfaqësi të firmave botërore. Lidhur me këtë, me kalimin e viteve, qendrat tregtare, jo vetëm që konkurrojnë mes tyre për markat që sjellin në Shqipëri, por kanë rritur edhe formatet e dyqaneve, me standardin ndërkombëtar. Ndonëse dyqanet me ecuri më të mirë në Shqipëri janë ata që shënjestrojnë shtresën e mesme, hasim jo pak brand-e ndërkombëtare luksi, të cilat kanë konsumatorët e tyre.
Sipas përfaqësuesve të disa emrave që operojnë në Shqipëri, si Roger Tirana që ka marka si Vero Moda, Kocca, Hilfiger, Jack and Jones etj, në vendin tonë qëndron ende mentaliteti për autenticitetin e firmave dhe kjo i bën shqiptarët më skeptikë në blerje, si dhe nxiten nga ideja e të bërit shopping jashtë Shqipërisë.
Përfaqësuesit e markës Alviero Martini në Shqipëri deklarojnë për Monitor se, ka pasur një rënie të numrit të blerjeve të produkteve të tyre, si çanta, rripa dhe aksesorë të tjerë, duke qenë se shohin një rënie të ekonomisë. Para disa vitesh, pohojnë ata, në mesin e blerësve gjendeshin edhe kategoria e shtresës së mesme, e cila mund ‘t’ia lejonte vetes’ një çantë 300 euro, sikur vetëm një herë në jetë. Ndërsa sipas tyre, situata tani duket e përkeqësuar dhe vetëm klientët besnikë i rikthehen dyqanit, ata me buxhet mbi mesatare, pasi luksi është elementi i parë që hiqet nga lista kur gjendja ekonomike nuk duket mirë.
Përfaqësuesit e markës Pierre Cardin sakaq shtojnë se, ka një interes më të lartë të grave shqiptare për të blerë elementë arredues në shtëpitë e tyre me vlera më të larta, por një ulje të kërkesës për aksesorë luksi vetjakë. Sipas tyre, zgjedhja e një byzylyku të kësaj marke apo veshjeje, është zëvendësuar më një mbulesë krevati apo tapet, të kualitetit francez, të cilat preferohen më së shumti.
Po të kalojmë në sektorin e bizhuterive, menaxherja e shitjeve pranë Kastrati Jewelery tregon se, kërkesat për produktet e luksit kanë zëvendësuar prej kohësh ato për metal të çmuar, pasi është rritur klasa me të ardhura të larta. Sipas tyre, kërkesa për diamante është në rritje të vazhdueshme, sepse është nga ato blerje që bëhet edhe ‘një herë në jetë’.
Makina luksoze
Viti 2017 ka shënuar rritje të pazakontë të makinave të luksit në qarkullim. Ministria e Financave, e cila i ka përfshirë në taksim të posaçëm këto automjete që nga viti 2017, ka deklaruar më parë se numri i mjeteve luksoze në qarkullim është shtuar me 28% në 2017. Në vitin 2016 kur u mor nisma ligjore për rritjen e taksave ndaj makinave luksoze numëroheshin 5400 të tilla, por në vitin 2017 u shtuan në qarkullim edhe 1541 automjete luksi.
Nga Mondial Luxury Car Rental tregojnë se ka pasur një shtim të tendencës për marrje me qira të makinave të luksit. Ndonëse ata pohojnë se një pjesë e mirë i marrin për evente, tendenca pozitive e rritjes së kërkesave ka bërë që ata të operojnë me sukses në treg.
Nga kompania Avis theksojnë është se makinat e luksit merren kryesisht nga vetë shqiptarët (jo turistët që vijnë në vend), sidomos me rastin e një eventi, sjellje e cila ushqehet nga dëshira e të pasurit një status më të lartë në sytë e njerëzve.
Kremra dhe kujdesi personal
Maskat e floririt për fytyrën dhe ato të argjendit për pjesën e fytit dhe të dekoltesë kanë nisur të kërkohet shumë edhe në Shqipëri. Bëhet fjalë për një shërbim luksi, i cili deri para pak vitesh nuk njihej apo konsiderohej i paprekshëm.
Nga qendra estetike Diva Estetika pohojnë se kërkesat janë në rritje edhe nga kategori që më parë nuk i janë drejtuar qendrave estetike, siç rëndom supozohet se vetëm VIP-at marrin këtë shërbim.
“Maska e floririt 24 karat është aplikuar në tre faza, e pastaj, bëhet dhe një masazh i lëkurës, që përmirëson qarkullimin e gjakut ndërsa ari, i kombinuar me ekstrakt agave, ndihmon prodhimin e kolagjenit. Gratë shqiptare duan të mbeten të reja dhe ndërgjegjësimi vjen kryesisht nga kategori mbi 40 vjeç”- pohojnë nga qendra.
Sakaq, përveç kujdesit estetik, pranë “La Cliniques De Paris Tirana” klientët janë shtuar. Ajo është klinika e parë në Ballkan në fushën e mjekësisë rigjeneruese përmes qelizave staminale, një mjekësi luksi kjo që edhe në Shqipëri po aplikohet.
Çmimi i analizave për një klient, i cili pas një muaji do të ketë në dorë librin personal të organizmit të tij, një konsultë më një mjek të huaj specialist dhe plani tremujor i terapisë (pa përfshirë terapinë në vetvete) kushton 3 mijë euro. Nëse një person vendos të jetë klient i qëndrueshëm i klinikës që të kryejë analizat çdo një vit dhe terapitë e nevojshme për organizmin e tij, i duhet të shpenzojë 15 mijë euro në vit.
Përfaqësues nga qendra tregojnë se përveç shqiptarëve, ka edhe klientë të huaj kryesisht nga Serbia, por edhe bashkëpunojnë me agjencitë, që operojnë me turizëm shëndetësor, sepse natyra e Shqipërisë është e shkëlqyer dhe ofrohen -50 % të çmimeve në Europë dhe SHBA.
Përveç qendrave të bukurisë apo përkujdesit që kanë hyrë në tregun shqiptar prej vitesh, një tjetër kategori që po merr nga torta e luksit të produkteve që shqiptarët po kërkojnë, janë produkte si kremra apo kozmetikë të ngjashme, të cilat blihen nga vetë ata. Este Lauder, Korff ka vite që gjendet në farmaci, dyqane kozmetike etj., çmimet e të cilave janë mbi mesataren e shpenzimeve për shqiptarët. Një krem hidratues i Korff me kolagjen kushton mbi 70 euro, në formate të vogla si 30 ml. Një krem i Estee Lauder ‘repair serum’ kushton 172 euro, sërish format i vogël 30 ml.
Diamantet dhe të tjerë bizhu luksi
Monitor më herët këtë vit ka konstatuar se ‘epoka e diamanteve’ ka mbërritur edhe në Shqipëri”. Pikërisht kjo epokë po vijon të jetë e shndritshme, si vetë diamantet, duke qenë se kërkesat për to po vijojnë.
Sipas drejtuesit të argjendarisë “Armar Gold”, Marsel Shaho, prej 10 vitesh në treg tashmë, gama e dyqanit të tij është e gjitha me diamante dhe gurë të tjerë të çmuar. Dhe sërish sipas tij, klientët janë në rritje.
“Kërkesat janë në rritje, sigurisht çmimi është më i lartë, por edhe cilësia është e lartë, si dhe e garantuar. Ne u ofrojmë klientëve edhe certifikatën për produktin, por edhe për gurin”-pohon ai.
Sipas vëzhgimeve edhe në aktorë të tjerë të tregut në Tiranë, një unazë me gur diamanti në karatin më të ulët arrin 1000 euro.
Sipas shifrave të analizuara të INSTAT, në 2018 është rritur importi i gurëve të çmuar në Shqipëri. Shifrat tregojnë për një rritje të ndjeshme me rreth 3%, për 11-mujorin 2018.
Për këtë periudhë, vlera e importuar ka arritur 1.5 mld lekë, ndërsa gjatë vitit 2017 vlera ka qenë rreth 630 mln lekë. Për këtë rritje të vlerës së importeve, edhe argjendarët në kryeqytet dëshmojnë që kërkesat kanë qenë më të larta vitin e shkuar dhe parashikojnë një tjetër vit të mirë në blerjet e bizhuterive me gurë të çmuar. Sipas tyre, ka bizhuteri me vlera të ndryshme për të gjithë ata që kërkojnë të blejnë një të tillë, duke kurorëzuar diamantin si më të shtrenjtin në mesin e tyre.
Në shtetet kryesore nga ku importojmë kategorinë e gurëve të çmuar, pas Italisë, vjen Kina, Gjermania dhe Zvicra, ndjekur nga Vietnami, Greqia dhe Belgjika.
Orët luksoze
Ndër produktet, që konsiderohen mallra luksi, janë edhe orët. Sipas të dhënave nga Dogana, importet e orëve në Shqipëri u rritën me 71 për qind në 2016-n në krahasim me pesë vite më parë. Zyrtarisht importet shënuan një vlerë prej 3.3 milionë dollarë, nga 1.9 që kishin qenë në 2012-n.
Sipas përfaqësuesve të argjendari Gjikondi, bizhuteritë e luksit dhe orët parapëlqehen shumë dhe se klientët besnikë, por edhe ata të rekomanduar, vijnë në këtë argjendari nga markat ndërkombëtare që ofron në këto produkte.
“Floriri po preferohet gjithnjë e më pak, ndoshta sepse pjesa më e madhe e klientëve te ‘Gjikondi’ drejtohen kryesisht për bizhuteri luksi apo ora. Vetëm një përqindje e vogël kanë pasur qëllim të blejnë bizhuteri floriri, kryesisht unaza”,- thotë z. Gjikondi
Orët, veçanërisht ato të prodhuara nga kompani me emër, janë një mënyrë e mirë “për t’u dukur” dhe me sa duket, “milionerët e rinj” në qarkullim kanë rritur importet në vend.
Padyshim që kur flasim për orët, vendi i parë që të vjen ndër mend është Zvicra. Shteti europian përpos mirëqenies, është i njohur për markat e njohura të orëve si Rolex, Audemars Piguet, Breitling, Chopard etj.
Në 2016-n, importet nga Zvicra, sipas të dhënave nga Dogana përllogariteshin rreth 1 milion dollarë. Në periudhën kohore 2012-2016, importet e orëve nga Zvicra llogariten të jenë rreth 4.5 milionë dollarë. Ndërsa eksportet e Zvicrës në të gjithë botën në 2016-n shënuan një vlerë prej 19.8 miliardë dollarë.
Vendi me peshë të lartë për sa u përket importeve në vend është Kina. Në dallim prej Zvicrës, Kina është e njohur për imitacionet e markave të famshme të orëve. Të dy vendet së bashku përbëjnë mbi 65% të totalit të importeve. Nga të dhënat e Doganës importet e orëve nga Kina kapën vlerën e 1.18 milionë dollarë
Jahtet luksoze
Si frymëzim nga filmat, nga jeta mondane e VIP të huaj apo nga një vështrim në Monakon luksoze, shqiptarët si popull vanitoz, kanë nisur të preferojnë edhe jahtet.
Menaxheri i shitjeve në “MennYacht”, kompani sllovene që tregton dhe jep me qira jahte, tregon se që nga shkurti i vitit 2008 ka nisur të operojë në Shqipëri, treg i cili dukej ambicioz. Tashmë pas një dekade në treg, thotë se kërkesat janë sporadike por në rritje dhe kryesisht mbështeten nga klientët besnikë. Në këto vite kanë pasur edhe jo pak shitje, sipas tyre, kryesisht nga shtresa e pasur, pinjollët e familjeve të pasura.
Sipas tyre, një tendencë që po vijon këtë vit është zotërimi i një jahti duke kaluar nga faza e qiramarrjes në atë të të qenët pronar. Shumica zgjedhin t’i mbajnë larg Shqipërisë, në brigjet e Montekarlos në Monako, të Kanës në Francë, në Holandë, dhe më i afërti me Shqipërinë, në Tivat të Malit të Zi.
Sipas të dhënave të Dogana, nga viti 2012 deri në fund të vitit 2016, në total janë importuar 365 motoskafë dhe vlera e tyre arrin në 1.66 milionë dollarë. Mesatarisht, çmimi për njësi është 4669 dollarë. Viti kur janë importuar më shumë motoskafë është 2015, me105 të tillë, kurse në vitin 2016, rezultojnë vetëm 75 njësi.
Operacionet plastike
Nëse se ka një sektor biznesi i cili padyshim konsiderohet luksi por që po sheh rritje çdo vit që kalon në Shqipëri, është ai i ndërhyrjeve estetike dhe plastike.
Sipas të dhënave që Monitor ka nxjerrë mbështetur në përpunimin e bilanceve, klinikat e kirurgjisë plastike kanë pasur rritje të ndjeshme të të ardhurave gjatë vitit 2017 në raport me 2016-n. Në 2018, xhirot e disa klinikave kanë vijuar rritje, deri dhe në dyfishim, ndërsa të tjera janë ndalur.
Pranë klinikës “Diva” pohojnë se korrigjimet e formës së hundës dhe zmadhimi i gjoksit janë dy operacionet më të kërkuara, por nuk mbeten pas edhe kërkesat për korrigjime të kapakëve të syve, lifting të fytyrës, rregullim të formës së veshëve apo ngritje të vetullave. Gjithashtu është rritur kërkesa për botox-in dhe rikonturimin e formës së trupit nëpërmjet liposuction-it, si te femrat, ashtu edhe te meshkujt.
Aktualisht, në klinikën “Keit”, departamenti i statistikës tregon për kryerjen e mbi 8,000 ndërhyrjeve në muaj, shifër e cila dëshmon rritjen e tregut të ndërhyrjeve plastike, duke marrë në konsideratë edhe shtimin e klinikave në vend. Megjithatë, vlen për t’u theksuar se klientët nuk janë vetëm shqiptarë. Vendi ynë po tërheq vit pas viti më tepër turistë të huaj për shërbimet që ofron.
Me një çmim operacioni që shkon deri 1500 euro, rimodelimi i hundës renditet te ndërhyrjet më të kërkuara dhe të kryera në klinikat kryesore të kirurgjisë plastike në vendin tonë.
Stërvitje me trajner personal? Tendenca në rritje, çmimi mesatar 300 euro në muaj
Stili i jetesës, presioni që imponojnë rrjetet sociale mbi standardin e ri i shoqërisë për të bukurën, angazhimet e shumta profesionale apo ndërgjegjësimi për shëndetin po bëjnë sot që të lulëzojë një tjetër tendencë në treg. Bëhet fjalë për personal trainer (trajner personal). Teksa shumica zgjedh një palestër me një instruktor që jep orientime për të gjithë anëtarët, trajneri personal dedikohet vetëm ndaj një klienti. Elisa Aliko, trajnerë personale, shprehet se si koncept ky profesion në Shqipëri njihet prej një dekade, por vlerësimin dhe rolin real e ka marrë në 5 vitet e fundit. Por kush kërkon sot një trajner të dedikuar? “Personat që kërkojnë të punojnë me një trajner personal janë ata që kanë mungesë motivacioni dhe aktiviteti fizik nuk është një nga gjërat e tyre të preferuara. Por e gjithë kjo varet më së shumti edhe prej të ardhurave financiare. Ndaj kategoritë që kërkojnë një trajner personal janë njerëz të biznesit, show biz-it apo me pozicione pune relativisht të mirë paguara kryesisht në banka, kompani të huaja, administratë gjithashtu. Është dhe një kategori tjetër që kërkon trajner personal, që është me specifike dhe kjo është pjesa e atyre që kanë një problem shëndetësor dhe që duhet të bëjnë vetëm ushtrime specifike” shprehet Elisa.
Çmimet që aplikohen sot në treg për këtë shërbim nuk janë edhe aq të lira. “Duke qenë se është një aktivitet luksi kostoja për të pajtuar një trajner personal është relativisht mbi mesataren e të ardhurave. Çmimet për këtë profil përllogariten me orë, mesatarish rreth 15-20 euro minimumi. Gjithmonë kostoja finale varet nga numri i seancave, por përgjithësisht në një total paguhet 250-300 euro në muaj. Kur e vlerësojmë si aktivitet luksi kemi parasysh që ata që kanë një trajner personal kanë dhe një regjim të përcaktuar që zakonisht e marrin të gatshëm. Bizneset që e ofrojnë këtë lloj shërbimi janë shtuar jo pa arsye dhe paketat e tyre variojnë nga 20 deri ne 35 mijë lekë” shprehët ajo.
Të gjeturit të një klienti sot nuk është sfidë në treg dhe dy mënyrat më të suksesshme janë ato përmes rrjeteve sociale por edhe nga komunikimi personal i përshtypjeve pozitive pra me rekomandim nga një mik apo ish-klient.
Luks apo false?
Një debat që bëhet shpesh në Shqipëri është ai mbi autenticitetin e produkteve të luksit që gjenden në treg. Shpesh, edhe njësitë tregtare të mëdha si qendrat tregtare ‘akuzohen’ për mungesë origjinaliteti. Por, sipas burimeve, markat në qendrat tregtare nuk janë false, por janë origjinale dhe janë në të njëjtin sistem, duke qenë se plotësojnë një sërë kushtesh para se të hapen në Shqipëri. Një tjetër çështje, që ka debat, është etiketa se ku është prodhuar produkti, që e bën klientit të jetë dyshues. Në lidhje me këtë, “Made in Portugal”, “Made in Albania”, “Made in Bangladesh” sipas burimeve, është vetëm sa i përket krahut të punës, sepse materiali i produktit është po i njëjti që ka vetë firma mëmë. Sipas ekspertëve të fushës, kjo bëhet me qëllim që kur të vijë sezoni i uljeve (2 herë në vit uljet më të mëdha) firma mëmë mos të ketë humbje, pra krahu i lirë i punës i jep automatikisht mundësinë e fitimit.
Tregu global
Pas një ngritjeje prej 6 për qind vitin e kaluar, shitjet globale të mallrave personale të luksit nuk tregojnë shenja të një ngadalësimi në 2019, sipas një parashikimi të botuar rishtas nga Vogue.
– Shitjet e mallrave të luksit personal parashikohet të rriten 4 deri në 6 për qind në nivel global në vitin 2019, sipas vlerësimeve të reja nga Bain & Company dhe Altagamma.
– Kina vazhdon të jetë shtytësi më i fortë i sektorit, i cili po ndikon negativisht në Makau dhe Hong Kong, ku shitjet e mallrave luksoze pritet të bien këtë vit.
– Tregu amerikan po vëren fitime në shitje me çmime të plota ndërsa qarkullimi i produkteve në dyqane ngadalësohet.
SHBA dhe Kina kanë vendosur tarifa për produktet e njëri-tjetrit dhe Brexit mbetet çështje problematike. Por, përkundër gjithë kësaj, tregu i përgjithshëm i mallrave të luksit personal pritet të rritet midis 4 deri në 6 për qind këtë vit, në të njëjtën kohë me rritjen prej 6 për qind të konstatuar në 2018, sipas një raporti të publikuar të enjten nga Bain & Company dhe Altagamma.
Ashtu si vitet e kaluara, Kina do të jetë motori kryesor i rritjes, me shitjet që parashikohen të zgjerohen me rreth 20 për qind. (Blerësit e vendit tani përbëjnë rreth një të tretën e shpenzimeve globale të mallrave luksoze, një shifër që parashikohet të rritet në 46 për qind deri në vitin 2025.) Tregu i mallrave luksoz të Azisë Juglindore gjithashtu pritet të rritet së paku 10 për qind në 2019.
Bain pret që shitjet në Evropë të vazhdojnë të rriten në vitin 2019, me rënien e vlerës së euros ndaj dollarit, që çon në një fluks më të madh të shpenzimeve turistike. Disa vende evropiane po shohin një ulje të shpenzimeve të brendshme, të cilat Bain i atribuon pjesërisht trazirave të shkaktuara nga Brexit dhe protestave në Francë.
Sidoqoftë, ndërsa konsumatorët kinezë blejnë më shumë nga mallrat e tyre, shitësit me pakicë evropianë do të duhet të zhvendosin pajisjet.
“Evropa në planin afatgjatë do të humbasë një pjesë të madhe të flukseve turistike sepse njerëzit do të blejnë kur udhëtojnë … për gëzimin e blerjeve gjatë pushimeve, por jo për efektin e volitshëm,” thotë D’Arpizio, duke shtuar se shitësit me pakicë luksoze evropianë mund të jenë të detyruar të ndryshojnë strategjinë e tyre gjatë pesë deri në shtatë vitet e ardhshme. “Evropa nuk mund të mbajë shpërndarjen e tanishme të tregut vetëm me klientët vendas.”
Tregu në transformim
Sipas studimit të “Bain & Company”, tregu i mallrave të luksit është në transformim. Porositë në internet janë në rritje, ndërsa shitjet në qendra tregtare shënojnë rënie. Ndërkohë janë të preferuara dyqanet e hapura nga vetë markat e njohura. Nga ana tjetër, shumë prej “markave tradicionale” u është dashur të rishikojnë strategjitë e marketingut për të qenë edhe më tej të suksesshëm, thekson Josef Ming. Për shkak të pavarësisë ekonomike në të gjithë botën është në rritje numri i grave, që depërtojnë në territorin tradicional mashkullor të artikujve “luksozë”, si veshje luksi apo orë të shtrenjta. Ndërkohë që meshkujt po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje temës së modës dhe dizajnit. Sipas studimit, kjo ka të bëjë edhe me faktin që produktet e markave të njohura sot vishen më shpesh dhe jo si më parë vetëm në raste të veçanta. /Monitor/