Kreu i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali i cili ka qenë më parë edhe këshilltar i së djathtës ka përshëndetur vendimin e Bashkisë së Tiranës lidhur me ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin për taksën e ndërtesës. Në një intervistë për Vizion Plus, Haxhimali thekson se nisma e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për të informuar qytetarët në lidhje me vetdeklarimin është për tu përshëndetur dhe një model shumë i mirë për t’u ndjekur dhe nga bashkitë e tjera në të gjithë vendin.
“Ka bërë një punë shumë të mirë në fakt për sa i përket ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit, duke ftuar qytetarët që të bëjnë vetëdeklarimin. Pra secili qytetar është ftuar me dokumentet përkatëse që është një gjë shumë e thjeshtë. Vetëm libreza, Karta e ID dhe një fotokopje të certifikatës. Pra Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Bashkia Tiranë para se të fillonte mbledhjen e taksës ka bërë një punë shumë të mirë dhe ky është një model që duhet ta ndjekin edhe Bashkitë e tjera”, thekson Haxhimali.