Nga Mero Baze
Shumëkujt i kujtohet fjalimi i humbjes i Sali Berishës në verën e vitit 2013 dhe të qarat e militantëve para selisë së PD, ndërsa dëgjonin mallkimet e tij mbi popullin shqiptar, që nuk e votoi. Nga fillimi në fund, njeriu që gati po plaste nga marazi i ndëshkimit me 1 milionë vota kundër, kishte një fjali plot urrejtje dhe përbuzje, dhe atë e kishte për shqiptarët që e refuzuan. Numëronte “heroizmat”e veta, numëronte rrugë imagjinare, reforma, arritje kombëtare e ndërkombëtare, për t’u thënë të gjithëve se ky popull është fajtor që nuk e votoi. E pat bërë këtë dhe më 1997, kur njerëzit dolën në rrugë kundër tij. E bënte rregullisht dhe pas vitit 1997, sa herë që humbiste. Dhe vazhdon ta bëjë 6 vite pas ndëshkimit të madh të 2013.
Sot u shfaq sërish në një salle, në një qendër biznesi në Tiranë, duke shprehur çudinë se si populli shqiptar duron Edi Ramën dhe Hashim Thaçin. Si shkak për këtë shërbeu promovimi i një libri patriotiko-folklorik rreth rreziqeve imagjinare të Kosovës, që ai nuk ja dinte titullin, dhe i vuri disa tituj vetë gjatë fjalimit. Por arsyeja e vërtetë e tërbimit është ma kthi i tij, se SHBA dhe BE po avancojnë në bisedimet Kosovë- Serbi , duke injoruar stërkëmbshat shqiptare. Rasti i fundit i linjës ajrore Kosovë- Serbi, ishte më i freskëti. Si një politikan frikacak dhe i shënjestruar si i padëshiruar nga Perëndimi, ai përpiqet ta injorojë axhendën perëndimore, kryesisht amerikane, për Kosovën, dhe ta paraqesë atë si një si një angazhim personal të Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, kundër Kosovës. Kjo nuk është ndonjë gjë e re, pasi demonizimi është dhe e vetmja shkollë politike e tij ndaj kundërshtarëve. Por ajo që e bën atë të dëshpëruarin e madh të shqiptarëve, është se në fund e tha përsëri atë fjalinë që e mundon si makth, qyshkurse ka hyrë në politikë: “Mirë Hashim Thaçi dhe Edi Rama që janë tradhtarë, po shqiptarët si i durojnë këta …” Dhe këtu në fakt nuk e ka aq shumë me popullin, se sa me frikën e mbështetjes së SHBA dhe Perëndimit për partnerët politikë shqiptarë në këtë histori. Është frika që ka, se populli do të zgjedhë ata që janë me Perëndimin. Ky në fakt është problemi që ka Sali Berisha. Ai ka tre dekada në politikën postkomuniste, që nuk ka vendosur dot paqe me popullin e vet.
Ka tre dekada që e mallkon se nuk i është mirënjohës, se nuk i kupton të mirat e tij, se po ky popull sillet me mirë me kundërshtarët e tij, kurse ndaj tij është mosmirënjohës. Çdo dështim të jetës së tij politike, ai e shpjegon vetëm me padijen e popllit shqiptar për ta vlerësuar atë ashtu siç është… Në fakt, populli ynë ka shumë mangësi si pjesë e një shoqërie jo aq të zhvilluar dhe me plot probleme nga historia, por ka një meritë, që nuk e qortojmë dot. Ai nuk gabon kurrë, kur zgjedh. Dhe nëse ka një kryemeritë që duhet t’ia njohim, është se ai nuk gënjehet kurrë nga Sali Berisha, pasi është djegur prej tij. Ky është m akthi i vërtetë i Sali Berishës. Tërbimi i tij se si ky popull “nuk zgjohet nga gjumi” të përmbysë armiqtë e vet dhe të risjellë atë në skenë, është ndëshkimi që shqiptarët i kanë dhënë deri në fund të jetës së tij. Derisa të mbyllë sytë ai do të ketë fatin e keq, të shikojë se si populli nuk do ta zgjedhë kurrë atë, as si person, as si alternative, dhe aq më pak si patriot. Në fund atij do t’i mbahet mend vetëm që ka vrarë për të qëndruar në pushtetin që e vidhte familja e tij. Kjo do rrojë më gjatë se ai. Kaq nder mund t’i bëjë ky popull, që ai e mallkon vazhdimisht, se nuk e do.