Ministria e Turizmit dhe Mjedisit objektiv për vitin 2020 ka rritjen e numrit të turistëve me 10%. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare theksoi se është shumë e rëndësishme që në vitin 2020 të ruajmë trendin rritës të numrit të turistëve dhe të mos kemi kriza të cilat ndikuan në turizëm gjatë 2019-s. Sipas Klosit, protestat e opozitës dhe tërmeti ishin faktorë që ndikuan negativisht në turizëm, në krahasim me vitin 2018.
“Objektivi jonë është të kemi një rritje me 10% të turistëve për vitin 2020. Natyrisht shpresojmë shumë të mos kemi disa kriza që patëm në vitin 2019, të cilat ndikuan në rritjen e turizmit, krahasuar me vitin 2018. Ju kujtoni mjaft mirë disa ngjarje të ndodhura në vitin e shkuar, protestat e janarit dhe qershorit, në prag të protestave lokale, si dhe shtatori e nëntori, dy muaj këto ku vendi ynë u godit nga tërmeti”-, theksoi Klosi.
Ai tha se “turizmi është një industri e lidhur në detaje dhe shpresojmë që këtë vit detajet të jenë në favorin tonë. Sezoni i ri 2020 do të vazhdojë të na gjej të gatshëm për të pritur miliona turistë dhe do ta gjejë Shqipërinë një destinacion unikal turistik, pasi ofrohen të gjitha format e turizmit. Tur operatorët kanë dëshmuar se nuk ka cedime apo ndryshime të ofertës turistike pavarësisht tërmetit. Po ashtu tërmeti nuk preku dëshmitë kulturore, kalatë, kështjellat, zonat historike dhe kulturore. Një komponent tjetër i rëndësishëm janë blogerët dhe njerëzit e medieve masive, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e turizmit të vendit tonë”-, tha Klosi gjatë intervistës për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.