Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka vizituar aeroportin “Nënë Tereza” për të parë nga afër masat higjeno-sanitare, në kuadër të kontrollit dhe mbrojtjes ndaj koronavirusit që ka prekur shumë shtete. “Gjatë 24 orëve të fundit janë kontrolluar 17 pasagjerë. Pas kontrollit në aeroport, gjendja e tyre paraqitet e mirë. Nuk ka asnjë rast në Shqipëri”, tha Manastrliu duke shtuar se janë marrë masa paraprake në pikat kufitare portuale dhe tokësore.

Ky ishte reagimi që erdhi pas rastit të pacientes shqiptare që udhëtoi nga Kina rreth 10 ditë më parë, e cila rezultoi negative ndaj testeve. Manastirliu theksoi se Instituti i Shëndetit Publik ka një laborator të standardizuar në lidhje me vendosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale dhe stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike. Ndërsa spitali infektiv ka kapacitetet e nevojshme me dhoma izolimi për çdo situatë. Shqipëria mbetet vend me rrezik të ulët përsa i takon depërtimit të koronavirusit të ri.

Nga ana tjetër Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se një grua e cila kishte ardhur nga Kina në Tiranë para 10 ditësh dhe kishte shfaqur shenja gripale, nuk është identifikuar e prekur me koronavirus. Pas testimeve të kryera rezulton se gruaja fatmirësisht nuk është infektuar nga virusi. Identiteti i saj nuk bëhet me dije.