Zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm në largim i Kosovës Behgjet Pacolli, ishte dje në “Opinion” ku ka folur lidhur me jetën e tij personale, dhe konkretisht për pasurinë por dhe raportin e parave me politikën. Ai u shpreh se është i zhgënjyer nga politika pasi nuk ka mundur që idetë e tij t’i realizojë, ndërsa tha se nga ana ekonomike, politika i ka kushtuar shumë dhe se ka dalë me humbje. Sa i takon pasurisë së tij, ai tha se ka më shumë se 1 miliard euro, por shtoi se jeton si të gjithë njerëzit e tjerë dhe se zerot në llogaritë bankare nuk e kanë ndryshuar atë si person.
Blendi Fevziu: Ju ka zhgënjyer politika? Behgjet Pacolli: Absolutisht po, jam totalisht i zhgënjyer se nuk kam arrit asnjëherë të implementoj atë që kam pasur në mend. Blendi Fevziu: Të pasuron politika? Behgjet Pacolli: Jo, kam humbje. Nëse do duhet ta tërheq një vijë, shoh që politika më ka kushtuar shumë. Blendi Fevziu: Por kompanitë tuaja kanë punuar. Behgjet Pacolli: Po, por asnjëherë kompanitë e mia nuk kanë përfituar prej politikës. Blendi Fevziu: Sa pasuri ke?
Behgjet Pacolli: Këtë pyetje ma kanë bërë shumë. Të punosh në mënyrë intensive si unë, jashtë, është e pamundur që të mos krijosh diçka. Kam krijuar së pari një kompani shumë prestigjioze, dhe ajo e ka vlerën e vet, dhe e prek më shumë se 80 mijë euro e sipër. Normalisht edhe për jetën time, familjarët, kam arrit të bëj diçka, dhe mundem të them, se është mbi 1 miliard e më tepër, por unë sot jetoj në kushte normale, si njerëzit e tjerë, jam i lumtur shumë që, besoj se asgjë nuk ka ndryshuar tek unë, as në gëzime, as në hidhërime.