Nga një gërmadhë që ishte shëmbëlltyrë e braktisjes për dekada të tëra të studentëve, studentet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës kanë tashmë një konvikt shembullor me të gjitha kushtet dhe standardet. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga transformimi i konviktit të vajzave në Shkodër i cili iu nënshtrua një rikonstruksioni rrënjësor në kuadër të Paktit për Universitetin. “Mirëmëngjes dhe me kthimin e një gërmadhe që ishte shëmbëlltyrë e braktisjes për dekada të tëra të studentëve, në një konvikt shembullor për vajzat e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ju uroj një të diel të qetë”, tha Rama. Pas rikonstruksionit të këtij konvikti në kuadër të Paktit për Universitetin, rreth 170 studente të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër kanë tashmë kushte bashkëkohore.

Punimet përfshinë ndër të tjera zëvendësimin e dritareve, veshjen me kapot termik, sallë leximi, kuzhinë në çdo kat, ngrohje qendrore, shkallë emergjence, sistem kamerash etj. Projekti i financuar nga qeveria shqiptare me vlerë 206.400.000 lekë me TVSH u zbatua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Rikonstruksioni i godinës me një sipërfaqe prej 3140 m2 u bë sipas të gjithë parametrave bashkëkohorë të harmonizuara ndërmjet standardeve europiane dhe legjislacionit në fuqi.