Era e fortë që përfshiu kryeqytetin dhe jo vetëm gjatë ditës së djeshme e që kapi vlerat deri në 80km/h, është shoqëruar dhe me temperatura të ulëta që kapin vlera negative.
Meteorologia Adiola Bani shpjegoi për Report Tv se ka një rënie të intensitetit të erës, por që edhe gjatë ditës së sotme era do të vijojë të mbetet problematike.
“Edhe sot vijon të mbetet parametri i erës problematik por që nuk do të jetë aq i fortë sa dita e djeshme, duke qenë se në ditën e sotme në det të hapur parametri i erës parashikohet që të arrijë shpejtësinë 65km/h dhe ndonjë episode i veçantë 70km/h. Krahasuar me ditën e djeshme është një rënie e ndjeshme e intensitetit. Gjatë ditës së nesërme do të kemi rënie të ndjeshme të parametrit të erës, jo vetëm në territor por edhe në det të hapur, kështu që nuk do të jetë problematike duke filluar që nga mëngjesi i nesërm dhe në vijim”-u shpreh meteorologia.
Përsa i përket temperaturave, meteorologia tregon se e marta do të shënojë ditën më të ftohtë të javës, duke kapur vlerat -11 gradë celsisus.
“Duke qenë se do të kemi rënie të temperaturave edhe ditën e nesërme, dita më e ftohtë për këtë javë do të jetë dita e martë ku kemi rënie të temperaturave në zonat malore ku vlerat minimale parashikohen ditën e nesërme -11 gradë celsisus në zonat e thella malore. Po ashtu edhe zonat e ulëta do të jenë në vlera negative duke bërë që të zbresin deri në -3 gradë celsisus komplet pjesa e ulët e territorit shqiptar. Pjesa më e madhe e territorit do të jetë në vlera negative, ndërsa vetëm zona bregdetare do të jetë në vlera pozitive, 1 apo 2 gradë celsius ditën e nesërme”-tha Adiola Bani
Pavarësisht se muaji janar ka nisur si një muaj i ftohtë, gjatë 10 ditëshit të parë do të ketë mot të kthjellët dhe të qëndrueshëm. Por pritet sërish që gjatë 10 ditëshit të dytë të janarit të ketë episode me temperatura të ulëta./shqiptarja