Kryeministri Rama vijon takimet e tij me zyrtarë të lartë të BE dhe ndërkombëtarë në prag të Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt të organizuar në Bruksel. Dhe pikërisht pas ndalesës në Berlin ai bën me dije se po udhëton drejt Brukselit për të takuar organizatoren e Konferencës së Donatorëve, Presidenten e KE Ursula von der Leyen si dhe Presidentin e NATO-s Jens Stoltenberg. Po ashtu kryeministri thotë se ka takim dhe me Këshillin e Atlantikut të Veriut.
Të gjitha këto takime Rama po i zhvillon për të siguruar përkrahjen e liderëve të vendeve të BE apo institucioneve të larta të saj apo ndërkombëtare në mënyrë që në Konferencën e Donatorëve të mbajtur nga KE të përfitohen sa më shumë donacione të cilat do të shkojnë për Shqipërinë në kuadër të Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.
Shifra e dëmeve është 1 miliard euro dhe Rama e ka bërë të qartë se donacionet nga BE nuk do të mjaftojnë për të përmbushur të gjitha nevojat. ”Për Bruksel, sot me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për Konferencën e Donatorëve, që do të mbahet në 17 shkurt nën kujdesin e saj dhe nesër në NATO në cilësinë e Kryetarit të OSBE me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, si edhe me Këshillin e Atlantikut të Veriut”- shkruan Rama.