Përfaqësuesi i Komitetit Ndërministror për Emergjencat në qarkun Lezhë, Etjen Xhafaj deklaroi sot se “ka përfunduar pjesa e parë e konstatimit të dëmeve nga tërmeti në mbi 4000 objekte të ndryshme në qarkun Lezhë”.

Gjatë një interviste televizive lidhur me situatën pas tërmetit të 26 nëntorit, Xhafaj tha se “aktualisht kemi 961 të akomoduar në tre hotele në Shëngjin, të cilët janë aktualisht duke marrë edhe bonusin e qirasë. Në nivel qarku janë dhënë 965 bonuse qiraje me gjashtë mbledhjet e këshillave bashkiakë, Lezhë, Kurbin dhe Mirditë deri në fund të vitit dhe jemi duke për t’i ndihmuar banorët për të gjetur sistemim. Një pjesë e tyre kanë kërkuar çadra për të ndenjur pranë shtëpive apo pronave të tyre dhe jemi përpjekur t’u gjendemi pranë dhe vazhdojmë të shpërndajmë ndihma dhe shërbime të veçanta mjekësore për qytetarët që kanë pasur nevojë”, – tha ai.

Për sa i përket banesave me qira, Xhafaj tha se “ajo që ne zgjodhëm në bashkëpunim me Ministrinë e Financave që në fillim ishte që të kishim një normë mesatare për të gjithë qarkun Lezhë që qytetarët të lëvizin në mes qarkut. Pra të shkojnë nga një qendër në tjetrën pa marrë parasysh që në disa raste siç është ai i qytetit të Laçit, ku qiratë ishin shumë të ulëta dhe qiratë u rriten dhe do të ketë masa specifike për ata që përpiqen të abuzojnë më këtë situatë, qoftë në nivelin e marrjes së ndihma apo deklarimit të rremë për dëme, qoftë dhe për ata që abuzojnë në kurriz të atyre që janë pa strehë aktualisht dhe duhet të sistemohen”.

Xhafaj tha se në Laçi ka patur dëmtime të mëdha dhe janë shembur 64 pallate nga 162 gjithsej.

“Ne vazhdojmë t’i ndihmojmë qytetarët në mënyrë konstante për të gjetur sistemim. Nuk mund të ngrihen pallate brenda natës. Qyteti i Laçit është shumë i dëmtuar ka 64 pallate të dëmtuara nga 162 që është totali dhe rrjedhimisht kapaciteti për të sistemuar këta qytetarë nuk është i mundshëm në qytet. Aty jemi përpjekur t’i sistemojmë në rrethina apo dhe në qytetin e Lezhës”, – tha ai.

Xhafaj tha se “jemi duke biseduar me partnerë të huaj për të sjellë kontejnerë. Aktualisht janë 1753 persona që janë në çadra. Pjesa më e madhe janë në zonat rurale që kanë zgjedhur të rrinë pranë shtëpive të tyre”.

“Duhet theksuar se ne mund të bëjmë sa të mundemi, por edhe qytetarët duhet të kërkojnë shtëpi me qira, sepse qoftë sistemimi në çadra, apo hoteli nuk janë në kushte normale”, – tha ai.