Vlerën e parasë do ta kuptoni posa të filloni të keni të ardhura dhe testi i vërtetë fillon kur duhet të kurseni për të ardhmen e familjes. Por, si mund të ndodhë kjo? Gjithmonë duket më lehtë të thuhet sesa të bëhet. Kur jeni në një punë që nuk paguan mirë apo nëse jeni në fazën fillestare të karrierës, mundësitë janë të mëdha që nuk do të dini si të kurseni dhe si të ballafaqoheni me sfidat financiare.
Për disa, kursimi i parave është procedurë e cila asnjëherë nuk lehtësohet. Por, kjo duhet të ndryshohet vetëm duke shpenzuar më pak. Nuk është nevoja t’i sakrifikoni të gjitha komfortet që i keni, mirëpo vetëm duhet të krijoni aftësi menaxhimi.
Dini shpenzimet tuaja- Para se ta kapni lapsin për ta bërë planin se si të kurseni para, fillimisht merrni pak kohë dhe shkruani të gjitha shpenzimet e pritura për një muaj. Duke filluar nga fatura e rrymës, qiraja, cigaret, buka etj. Mos harroni të mbani një balancë si fond për situatat emergjente.
Vendosni qëllime të arsyeshme- Përderisa i caktoni vetvetes qëllime për kursimin e parave, merrni parasysh sasinë e rrogës që e keni. Mos i vendosni vetes qëllime të vështira të cilat mund ta kthejnë procesin e kursimit në zhgënjim. Në vend të kësaj, vendosni qëllime të cilat mund të arrihen lehtësisht.
Lani të gjitha borxhet-Nëse veç i keni borxh dikujt, ose keni kredi bankare, atëherë përpiquni t’i kryeni këto obligime sa më herët që është e mundshme. Jo vetëm që borxhi ua ngatërron buxhetin për çdo muaj, por edhe ju mban në presion. Gjithashtu, pasi t’i lani këto borxhe përpiquni të mos hyni në borxhe të reja. Kufizoni shpenzimet në bazë të rrogës që e keni!
Investoni paratë- Në vend se t’i vendosni në kasafortë paratë e kursyera, përpiquni t’i investoni ato diku ku pritni fitime më të mëdha. Por, para se ta bëni këtë gjë merrni këshilla nga ekspertët e ndryshëm të fushës në të cilën dëshironi të investoni.