Ligjvënësit europianë do hedhin sot hapin e fundit legjislativ për largimin me kushte të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian më 31 janar. Parlamenti Europian pritet të miratojë kushtet e largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja. Vota e 751 eurodeputetëve përbën fazën e fundit të ratifikimit të marrëveshjes historike. Dy ditë më pas do i hapet rruga realizimit të Brexit-it pas më shumë se 3 vitesh negociata e ngërçi politik. Shkëputja finale e Britanisë nga familja europiane do të ndodhë në orën 24 të 31 janarit.

“Mendoj se gjatë dy viteve që vijnë, do të ketë një debat të madh për atë se çfarë kërkojnë njerëzit te Europa. A duan një Europë të bashkëpunimit tregtar apo Europën që udhëhiqet nga institucionet e Brukselit. Mendoj se largimi i Britanisë do të shënojë fillimin e fundit të projektit europian,” deklaroi para votimit europarlamentari britanik dhe nismëtari i Breksitit, Najxhël Feraxh. Pas ditës së premte, Mbretëria e Bashkuar hyn në fazën 11-mujore të tranzicionit, kur kryeministrit të vendit, Boris Xhonson, do i mbetet të qartësojë të ardhmen e raporteve ekonomiko-politike me BE-në.

Ministrat e Francës dhe Gjermanisë paralajmërojnë se kjo kohë mund të mos jetë e mjaftueshme. “Nëse Boris Xhonson do një marrëveshje për 11 muaj, me zero kuota dhe tarifa, atëherë na duhen garanci se do të ketë zero dumping dhe situatë të volitshme për të gjitha palët. Negociatat janë shumë të thjeshta por edhe mund të ndërlikohen nëse nuk ka koherencë,” u shpreh të martën kryediplomatja franceze, Ameli dë Monshalë. Kryeministri Xhonson e ka përjashtuar mundësinë e zgjatjes së periudhës tranzitore përtej fundit të 2020-ës. Ndërkaq, Mbretëria e Bashkuar do të jetë vendi i parë që do dalë nga blloku politik dhe ekonomik europian, duke e lënë BE-në me 27 shtete anëtare.