Kur themeluesi i Rusisë moderne, Pjetri i Madh, vendosi të ndërtonte Petërburgun e sotëm, ai ndoqi një ide strategjike, që vazhdon të jetë në thelbin e gjeopolitikës ruse. Ai ndërtoi dritaren, nga mund të shikonte dhe ëndëronte Stambollin, apo thënë ndryshe të zotëronte Dardanelet nga ku priste vijat e komunikimit Lindje-Perëndim dhe minimizonte fuqinë e Anglisë, si ‘Zonjë e detrave’. Zona ishte e tmerrshme dhe në ndërtim vdiqën 30 000 njerëz. Po kjo, nuk e pengoi Car Pjetrin të ndërtonte atë qytet, që edhe sot është një nga mrekullitë e botës. Perandoritë e kanë tagrin të ndërtojnë apo të risjellin në jetë qytete, duke iu përmbajtur megjithatë strategjisë së tyre kombëtare, që shkruar shpesh herë përmblidhet në dy fjali. Modernizimi i resurseve që të kanë lënë të parët dhe pozicioni gjeografik ndaj të tjerëve. Lindja e një qyteti është si lindja e një fëmije. Kjo frazë e përsëritur po shpesh, të thotë thjeshtë, se nëse ndërton pa pasur parasysh ca karakteristika që duhet të ketë qyteti në rritjen e tij, ky qytet në mos sot apo nesër, ai është i destinuar të zhduket.
Pikërisht kjo, mu kujtua para disa ditësh, kur Rama vendosi që në Laç ku ka dëme të mëdha nga tërmeti, të ndërtonte me ndihmën e Turqisë 500 apartamente. Në planin e parë të shikimit, logjika duket e drejtë. Aty banorët kanë shtëpitë, shkollën, pronat e tyre dhe kujtimet që i kanë shoqëruar një jetë të tërë. Po të shtosh këtu dhe faktin se toka është e lirë, ndërtimi i këtyre 500 banesave, duket i justifikueshëm. Shtuar këtu sqimën që karakterizon Ramën në ndërtim, e që unë e besoj shumë, mund të thuash, se do të kemi të bëjmë me një vepër të mirë, që mund të shërbejë edhe si shembull. Po sa u tha më sipër, problemi, mund të shihet dhe ndryshe. Laçi është një nga ato ndoshta dhjetë, a më shumë qytete të ndërtuara në kohë të socializmit, të bazuara në ekonominë e planifikuar që kopjonte në mënyrë të shëmtuar ekonominë sovjetike. Kishte në qendër të tij superfosfatin dhe u krijua nga një grup njerëzish, ku bënin pjesë grupe të ndryshme shoqërore, midis të cilëve dhe të persekutuar nga koha e përmendur. A mund të mbijetonte Laçi me rënien e komunizmit? Kjo pyetje në fakt nuk shtrohej vetëm për Laçin. Janë, siç thashë më lart, disa qytete që vijojnë nga Tirana deri në Shkodër dhe ndërtuar në bazë të njëjtës filozofi të dikurshme.
Natyrisht, brenda qëllimit të drejtuesve të kohës, por kundër filozofisë së strategjisë kombëtare. Po ashtu, edhe kundër rregullave që karakterizojnë ndërtimin e një qyteti. Nuk ka nevojë për filozofi të madhe të kuptosh, se qytete si Shkodra, Berati, Korça, Durrësi apo Vlora, do të mbijetonin dhe mbijetojnë, sido që ta ndërrojmë sistemin shoqëror me gjithë dëmet që u sjell sistemi i mëparshëm. Janë ndërtuar ku ka ujë, pyje, mal e gjithçka tjetër, që karakterizon njerëzinë që nga fillimi i ndërtimit të bashkësive që sot i quajmë qytete. Rënia e komunizmit, do të shpinte patjetër në një dobësim, apo zhdukje graduale nga harta që prish rregullat e njohura. Mund të përmendim jo vetëm Laçin, Rubikun, Memaliajn, Maliqin, po dhe shumë qendra të tjera të krijuara sipas modelit që kopjonte atë sovjetik. Kopjimi i këtij modeli, rrezikoi edhe qytete të mëdha të ndërtuara brenda një logjike jo të shëndetshme. Elbasani, ky qytet tipik tregtar në mes të Shqipërisë vështruar si një farë “karakolli”: për të kontrolluar vendin që nga kohët e vjetra, mbeti dhe si një qytet tipik tregtar. Çka do të thotë, edhe pa prona toke ndryshe nga shumica e qyteteve të mëdha
Në kohën e komunizmit, Hoxha ndërtoi aty Metalurgjikun dhe Rezervat e shtetit, duke shfrytëzuar edhe pozicionin gjeografik të tij si qendër e Shqipërisë. Ndërkohë në një periudhë gati 40 e ca vjeçare pas 1980-ës, qyteti u zmadhua ndoshta tre herë në popullsi…. Rënia e komunizmit, nxori në pah pyetjen, si do të vazhdonte më tej ky qytet. Për t’i rënë shkurt, mund të thuash se në të, do të shihnim siç shohim shpesh, pasojat që vijnë nga krimi e korrupsioni. Kjo thjesht sepse qyteti, nuk i ka mjetet e mbijetesës normale, apo dhe një strategji mbijetese. Mban shpesh nëse përdorim fjalë të rënda edhe “Gjurmë Palermoje”. Në të njëjtin pozicion është edhe Laçi, bile ndoshta edhe më të keq. Fundi i veprave të komunizmit, aty nuk projektonte ndonjë të ardhme të mirë. Ai që kalon anash qyetit, nuk i duhen më shumë se një minutë për ta kuptuar këtë dramë. Në normalen e diskutuar shumë herë dhe të lidhur edhe me Reformën Zgjedhore, do të duhej të thuhej se ndarja e vendit nga Reforma Territoriale, do të kërkonte zgjidhjen edhe të problemeve që krijoi epoka komuniste. Pra integrimin e zonave të pasura me ato të varfëra, nëse nuk do të doje të shihje zhdukjen e këtyre të dytave. Thënë më praktikisht, deputetët, apo ndarja e qarqeve, duhet të mbante të ngërthyera në njëra tjetrën, ndarjen e mirë të zonave dhe deputetëve që janë të plotfuqishmit e popullit.
Dhe vimë prapë te Laçi si një nga shembujt tipikë të filozofisë së mësipërme. A ja vlen që 500 ndërtesat e reja që do të bëhen për të riparuar dëmet e tërmetit, të ribëhen aty? Me se do të mbijetojë Laçi? Nuk e besoj që të shprehemi me parulla besimtarësh e të themi. Që Laci… për Kishë të Lacit duhet ndërtuar në Laç. Thua e shpëton betimi në emër të Kishës së Laçit? Besoj që do të ishte më mirë të mendoheshim edhe njëherë para se të vendosnim të ndërtonim aty 500 banesa që në thelb janë gjë e madhe për këtë popull të këtij qyteti, që ka vuajtur e që po vuan aq shumë në gjithë ekzistencën e tij.