“Luajmë dhe rindërtojmë së bashku”. Me këtë moto zbresin në fushë ish-lojtarë të kombëtares shqiptare më 10 mars, ndërkohë që në këtë ndeshje solidariteti do të marrin pjesë edhe futbollistë të Italisë kampione bote të vitit 2006, kampionë Europe me Greqinë në vitin 2004 dhe ish-lojtarë të Turqisë, që në vitin 2002 u rendit e treta në Kampionatin Botëror.

Andi Lila, përmes një pyetësori në Instagram ka zbuluar detaje të shumta nga ky aktiviteti. “Dy gjysmëfinalet do të jenë nga 35 minuta, më pas luhet finalja”, tregon kavajasi, i cili pyetet edhe për emra të përveçëm të kombëtares sonë. Dy prej tyre do jenë të ftuar nderi. “Agustin Kola dhe Geri Çipi do të jetë të ftuar nderi në stadium”, thotë Lila.

Ai nuk do të aktivizohet vetë: “Po luajnë më të mirët, ato që vendosën themelet e një kombëtareje kaq të fortë”. Pritet gjithashtu një përgjigje nga Bledar Kola: “Është i ftuar, por presim përgjigjen përfundimtare. Bledar Kola është pjesëtar i Golden Team Albania”.

I ngacmuar mbi shanset e kalimit të Shqipërisë në finale, Lila shton: “Uroj që të ketë spektakël dhe të fitojë më i miri. Të kënaqemi të gjithë dhe të bëjmë disa familje të lumtura me rindërtimin e shtëpive. Të gjithë në stadium për një qëllim të jashtë zakonshëm”.

Më ai zbulon edhe të tjera detaje: “Ndeshja do transmetohet në Supersport, kurse Gianni De Biasi do të jetë trajner i Italisë. Del Piero? Presim Robi Baggio”.

LOJTARËT E SHQIPËRISË

Dje Lila ka zbuluar edhe listën e lojtarëve të kombëtares shqiptare që do të jenë në këtë ndeshje. Ka edhe përjashtime, pasi në listë janë përfshirë edhe dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, Nderim Nexhipi dhe Artim Shaqiri.

Lista e publikuar nga Lila është si më poshtë: Foto Strakosha, Lorik Cana, Edvin Murati, Alban Bushi, Igli Tare, Altin Lala, Besnik Hasi, Altin Rraklli, Erjon Bogdani, Arjan Beqaj, Artim Shaqiri, Klodian Duro, Ervin Bulku, Armend Dallku, Nevil Dede, Debatik Curri, Hamdi Salihi, Redi Jupi, Nderim Nexhipi dhe Adrian Aliaj. Trajner i kuqezinjve do të jetë Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sindikata e Futbollistëve dhe FSHF kanë organizuar gjithçka dhe ndeshja do të zhvillohet në “Air Albania Stadium”, prej orës 18:00. Së fundmi janë publikuar edhe çmimet e biletave, që variojnë nga 500 lekë në 10000 lekë në tribunën VIP.

Të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Shitja e biletave ka nisur dhe pikat e shitjes janë te biletaria e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe në dyqanin zyrtar të FSHF.