Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vizituar sot spitalin e ri kirurgjikal në QSUT, ku theksoi se “pas 90 vitesh, bëhemi gati të hapim një epokë të re për kirurgjinë shqiptare”.

“Ia arritëm ditës së madhe”-, tha Manastirliu e shoqëruar nga mjekë e infermierë që përgatiten për ceremoninë e zyrtare të hapjes së këtij spitali. “Po, kjo është epoka e re për kirurgjinë. Jam e emocionuar. Ia arritëm kësaj dite dhe mendoj si ndihen mjekët dhe infermierët. Këtu ka ndryshuar çdo gjë, aty është zanafilla (duke iu referuar spitalit të vjetër), por këtu është fillimi i ri”.

“Tani duhet të ndryshojmë ritmin e punës, duhet performanca…planifikimi online për ndërhyrjet operatore është sfida…Të hënën do jetë ditë historike, dita e inagurimit zyrtar. 90 vjet kishte kirurgjia e vjetër dhe kur mendojë sa breza kanë kaluar e kuptoj nostalgjinë”-, tha Manastirliu

Mjekët u shprehën të lumtur për investimin e bërë. “Ende nuk arrijmë ta besojmë, nuk na iket në shtëpi”, u shpreh një mjeke. “Nuk dimë si të gëzohemi”, tha një tjetër. “Ne jemi të lumtur se më në fund marrim frymë”-, tha mjeku tjetër.

Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT është një investim me vlerë 8.8 milionë euro, ku do të përqendrohet i gjithë shërbimi i kirurgjisë, përfshirë edhe urgjencën. Nga ky investim përfitojnë 62 mijë pacientë në vit. Në sajë të këtij investimi, sallat e operacionit të kirurgjisë në qendrën më të madhe spitalore në vend, nuk do të kenë dallim nga spitalet europiane falë pajisjes me aparatura të teknologjisë së lartë që po instalohen në QSUT.

Spitali i ri i Kirurgjisë do të ketë një kapacitet me 120 shtretër, duke bërë të mundur transferimin e të tre klinikave të kirurgjisë së përgjithshme në këtë godinë. Spitali i ri do të ketë 7 salla operacioni (Urologji, Kirurgji e Përgjithshme, Tiroidet, Toraksi, Kirurgji Abdominale, me një kullë laparoskopie secila), njëra prej të cilave krejtësisht digjitale, që ju shërben edhe studentëve të mjekësisë për të ndjekur nga afër ndërhyrjet operatore në praktikën e tyre klinike. Spitali i ri ka edhe 2 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.

Qeveria shqiptare po investon rreth 30 milionë euro për modernizimin e QSUT-së me ndërtimin e Spitalit të Ri të Kirurgjisë, Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Pediatrisë. Nga këto investime përfitojnë 300 mijë pacientë, rreth 5000 punonjës staf mjekësor dhe jomjekësor, si dhe rreth 1000 studentë të Mjekësisë.