Përshëndetje, si jeni? Ju falënderoj për mundësinë e dhënë në dritare.net. Unë kam vajzën 2 vjeç, flet pak fjalë dhe të shqiptuara jo qartë. Kam vënë re që ka perin e gjuhës, nuk e kam çuar ende tek ndonjë mjek për kontroll. Nuk e ka shqetësuar aspak në ushqyerje pasi kam lexuar në internet që mund të sjellë problematika. Dua të di, a ndikon peri i gjuhës në të folur? A e pengon vajzën time për të shtuar fjalët? Do ju isha mirënjohëse nëse do më kthenit një përgjigje. Faleminderit!
Berjana Molla, Logopede, QSUT, përgjigjet : Përshëndetje, gjithashtu ju falënderoj që më keni shkruar dhe më ndiqni. Ju më pyesni a ndikon peri i gjuhës në të folur dhe a e pengon atë?! Përsa i përket perit të gjuhës ose Frenulumi nga studimet e bëra mund t’ju them që ndikon në mënyrën sesi fëmija artikulon fjalët por jo të mos e lejojë fëmijën të flasë. Frenulumi është anomali kongenitale, e cila e bën gjuhën të qëndrojë në dyshemenë e gojës, duke e bërë të pamundur për t’u ngritur ose për të dalë jashtë gojës. Fëmija arrin të lateralizojë gjuhën, por vetëm brenda kavitetit labial. Janë të shpeshta dislalitë (çrregullimet e artikulimit) tek l, t dhe x. Terapia është kirurgjikale dhe pas interventit, ndiqen ushtrime që kanë të bëjnë me përsëritjen e fjalëve dhe pozicionimin e gjuhës si duhet. Unë ju këshilloj të bëni një konsultë me mjek maxillofacial për të parë nëse është e nevojshme heqja e perit tani dhe përsa i përket të folurit, konsultë dhe vlerësim më të plotë me një logoped për të parë nëse ka diçka shqetësuese./dritare.net