Nga Albert P. Nikolla/
Shembulli më interesant që më nxiti për këtë shkrim mbi sistemet zgjedhore është ai i krahasimit midis qëndrueshmërisë së qeverisjes në Shqipëri dhe në Kosovë. Janë dy vende që i përkasin një kombi, por me histori të ndryshme politike e demokratike. Në Kosovë i është dhënë përparësi sistemit proporcional kombëtar, gjë që u ka krijuar mundësinë shumë partive për të qenë të përfaqësuara në kuvend edhe me numër të kufizuar deputetësh. Trajta e kuvendit të Kosovës pasqyron mirë gjithë dinamikat e atjeshme kulturore me tendenca të theksuara lokaliste e farefisnore. Rëndom në gjuhën e përditshme politike të qytetarëve të Kosovës mund të dëgjosh shprehje të tilla si: “partia e Ramushit”, “partia e Hashimit” apo “partia e Pacollit”, gjë që dëshmon më shumë protagonizmin vetjak të kryetarëve sesa një ngarkesë ideologjike të partive përkatëse. Ky fakt ka bërë që një dasi e tillë e tejshquar nga prerja kulturore e kryetarëve të përçohet edhe në kuvend e në qeverisje! Në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë qëndrueshmëri të mirëfilltë qeverisëse që prej qershorit të vitit 1999! Rëniet e qeverive dhe fenomeni i zgjedhjeve të parakohshme, më shumë se nga shkaqe ideologjike, kanë ardhur nga protagonizmi hera-herës i sëmurë i politikanëve kryesorë kosovarë për të patur pushtet me çdo kusht!
Përkundër, në Shqipëri trasferimi i sistemit zgjedhor në nivel qarqesh, jo në nivel kombëtar, ka pasur dy përparësi kuptimplote politike: ka përfaqësim të mirë politik në nivel lokal, në kuptimin që votuesit e një qarku ndërtojnë një marrdhënie të drejtpërdrejtë me deputetët; ky sistem ka garantuar qëndrueshmëri qeverisëse. Duket pra se sistemi zgjedhor në Shqipëri dhe partitë politike kryesore janë përpjekur të përqëndrohen në përfaqësinë lokale autentike dhe në qëndrueshmërinë e qeverisjes pa pengesa serioze, që do të shkaktonin tash e parë zgjedhje të parakohshme.
Një qytetar që voton duhet të ndihet i respektuar në lirinë e të drejtën e tij dhe nëpërmjet këtij akti t’i sigurohet mundësia për të shprehur lirshëm atë që ai mendon nëpërmjet votës; për të përmbushur detyrimin qytetar si bashkëpjesëmarrje në vendimet e institucioneve që drejtojnë jetën e vendit! Por jo domosdoshmërisht vota e votuesit është përfaqësim i personalizuar, pra jo përherë zgjidhet ai person për të cilin votuesi shprehet me votë në favor! Përveç lirisë themelore për të marrë pjesë pa asnjë shtërngim në zgjedhje, sistemi zgjedhor nuk mund të garantojë përfaqësim të përkryer ku çdo grupim social apo kulturor, sado i vogël, të përfaqësohet në kuvend! Vetë natyra e demokracisë dhe e votës është e tillë! Demokracia presupozon përfaqësim të njësuar, pasi fituesi është rezultat i garës ku kanë marrë pjesë të gjithë votuesit, pra edhe ata që kanë votuar kundër! Një garë e bën të ndershme më shumë përkushtimi politik e ligjor për të krijuar kushtet e një votimi të lirë, masiv e dinjitoz sesa detajet e stërholluara teknike të sistemit zgjedhor. Me këtë nuk dua të them se një sistem zgjedhor nuk ka rëndësi në procesin e zgjedhjeve në një vend demokratik, por e mira morale e politike e zgjedhjeve nuk qëndron te çështjet teknike por kryesisht te qasja politike e sigurimit të lirisë!
Siç pohon filozofi N. Bobbio, çështja e përfaqësimit në një vend demokratik është e lidhur shumë më tepër me çështjen se “kush voton” se sa me mënyrën se “si votohet”! Interpretimi i tij shquan domosdoshmërinë e krijimit të mundësisë së të votuarit për çdo qytetar, pra të eliminimit të çdo pengese sado të vogël që mund të vërë në kushtet e pamundësisë për të votuar edhe qytetarin gjeografikisht më të skajshëm të republikës! Çështja se si votohet ose më saktë detajet teknike të sistemit zgjedhor nuk e shqetësonin shumë filozofin, pasi ai e konsideronte atë pa shumë ngarkesë etike nga pikëpamja politike!
PS-ja është partia politike që më shumë se çdo grupim tjetër politik i ka qëndruar besnike parimit të krijimit të kushteve për votim të lirë e masiv të qytetarëve! Ajo ka pasur një linjë të qëndrueshme në historinë e saj politike, duke qenë përherë e hapur ndaj ndryshimeve në kodin zgjedhor me qëllim përmirësimin e tij! Kaq e thellë dhe korrekte ka qenë kjo linjë saqë mund të dëshmohet nga aksioma e PS-së në qasjen e saj dialoguese në të kaluarën e deri në ditën e sodit me Opozitën: sillni çdo propozim dhe ne e pranojmë! Pra, nuk është ngjeshur pas bularitjeve tipike opozitare që kërkonin tash e parë sisteme të reja zgjedhore për të justifikuar humbjet e tyre, por e ka përqendruar vëmendjen te siguria e votës së lirë!
Thënë këtë, PS-ja ka qenë më shumë e prirur drejt sistemeve zgjedhore që sigurojnë qëndrueshmëri në qeverisje! Në kontekstin kulturor shqiptar, ku hera-herës nxjerr kokë natyra faresfisnore e organizimit politik batall e me tarafe, sistemet zgjedhore që mbështesin formacionin dypartiak janë shumë të përshtatshme. Mjafton të shikojmë se çfarë ndodh në Kosovë ku ka 4 apo 5 parti që konkurrojnë me përqindje të afërta zgjedhore, duke krijuar dukshëm probleme në qëndrueshmërinë e qeverisjes. Në Shqipëri, nisur nga ky pikëvështrim, sistemi aktual është më i përshtatshmi dhe nuk është e nevojshme të ndryshohet.
Përfaqësimi politik ka edhe natyrë kulturore dhe të veçanti tipike të një vendi. Jo çdo sistem mund të jetë i mirë në një kulturë të caktuar. Një sistem i mirë zgjedhor në Shqipëri duhet të krijojë kushtet që vota të mos i nënshtrohet një thërmimi shpërndarës, ku parti të vogla, pa asnjë peshë të konsiderueshme votash, diktojnë qëndrueshmërinë e qeverisë. Ka kryetarë partish të vogla të cilët si “peshë politike” kanë vetëm vulën e partisë në xhep, që paraqiten në tryeza politike si të ishin në çabulle katundesh! Sa më pak parti të tilla të jenë në skenë politike, aq më e lartë është qëndrueshmëria politike e qeverisjes e për rrjedhojë edhe qëndrueshmëria politike në vend.
Përsa u përket listave të mbyllura, besoj se është mënyra më e përshtatshme për kulturën, historinë dhe dinamikat e sotme politike. Listat e hapura mund të jenë një mundësi në të ardhmen, por sot nuk janë pjekur kushtet për një gjë të tillë. Listat e mbyllura garantojnë edhe një respektim të kontributit politik historik të çdo kandidati që ka një karrierë të gjatë të militantizmit politik, por që për arsye të ndryshme, ndër të cilat edhe pamundësia e mbështetjes së fushatës zgjedhore, nuk mund të merrte numrin e mjaftueshëm të votave për t’u bërë deputet nëse do të ishte në lista të hapura.
Më shumë sesa përkushtimi i tepërt i kohës për sisteme zgjedhore, i nevojshëm do të ishte edukimi me detyrën për të votuar për çdo person! Sensi i shtetit dhe i së mirës së përbashkët kalon nëpërmjet secilit prej nesh me një përgjegjësi të shkallëzuar, sipas detyrës që ushtrojmë. Sigurisht, kush është në krye të shtetit ka përgjegjësi më të madhe, por pa përgjegjësi nuk është askush, as ai që ka angazhim minimal apo që rron me lëmoshën e të tjerëve. Por përgjegjësisë personale, sado të vogël në dukje, nuk mund t’i shmangemi dhe, për më tepër, as gjykimit të historisë për secilin prej nesh. Detyra për të votuar përmbush dhe i jep kuptim lirisë për të votuar.