Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka publikuar raportin për veprimtarinë e vitit 2019, ndërsa i kërkon Kuvendit që pas përplasjes institucionale me Presidentin Ilir Meta për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të miratojë një paketë normash të reja me shtesa dhe ndryshime.

Kryetari i KED-së specifikisht kërkon “për të qartësuar procedurat që ndiqen nga organet e emërtesës dhe nga KED-ja për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese, ekzistencën, rastet, kuptimin dhe mënyrën e zbatimit të rregullit të paraqitjes së dy listave me gjyqtarë dhe jo gjyqtarë kur ka më shumë se një vend vakant në shqyrtim nga i njëjti organ emërtese lidhur me afatet, hapat proceduralë, komunikimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të emërtesës në procesin e plotësimit të vendeve vakante si edhe për të harmonizuar në tërësi gjuhën dhe rregullat materiale dhe procedurale të këtij ligji të posaçëm me ato të ligjit të 2016 që përmban rregullime të natyrës më të përgjithshme” thotë ai.

E ndërsa është akuzuar nga Presidenti për mungesë transparence në mbledhjen që ka zhvilluar në drejtimin e KED-së, Ardian Dvorani thotë se mes të tjerëve në mbledhjet e zhvillua ka qenë i pranishëm edhe përfaqësuesi i kreut të shtetit, madje ka marrë pjesë në diskutimet që janë bërë. Përplasja e fortë institucioneve në muajt e fundit të vitit të kaluar përfundoi në SPAK.

Ilir Meta e kallëzoi penalisht Ardian Dvoranin në Gjykatën e Tiranës për shpërdorim detyre dhe përvetësim të kompetencave, ku të dy u morën në pyetje, ndërsa dosja kaloi te SPAK. Meta thotë se Dvorani qëllimisht dërgoi në të njëjtin ditë tek presidenti dhe Kuvendi dy lista njëherazi për dy vakanca, ndërkohë që Kushtetuta thotë se duhet ndjekur radha e zgjedhjes së anëtarëve, President-Kuvend-Gjykatë e Lartë.

Meta thotë se kjo u bë qëllimisht nga kreu i KED, duke “detyruar” presidentin të mos respektojë afatin 30 ditor. Presidenti thotë se Dvorani ka shpërdoruar detyrën duke marrë një vendim individual duke zgjedhur automatikisht Arta Vorpsin, vendim që e publikoi vendimin në Fletoren Zyrtare.