Alfred Peza

Në debatin politik të ditëve të fundit rreth sistemit që duhet aplikuar në zgjedhjet e ardhshme,- në kuadër të reformës së re elektorale,- bie në sy një përpjekje gati kolektive e opozitarëve, mediave dhe zërave kritikë me qeverinë, për ti diktuar Lulzim Bashës idetë e tyre në mënyrë që ai të bëhet lideri që ata duan për ta mundur Edi Ramën.

Ka në këtë ndërmarrje kolektive një energji pozitive që buron nga qasja e sinqertë, për ti ofruar kryetarit të PD nëpërmjet ideve apo mendimeve, edhe mbështetjen e tyre. Në këtë mënyrë, ata besojnë se ai mund të dali, nga apatia e këtyre 6-7 viteve në opozitë. Si një sinjal dhe shenjë garancie, se në zgjedhjet e 2021, ata të kenë shpresë se me Lulzim Bashën në krye, do e mundin PS dhe do rikthehen pas 8 vitesh në pushtet.

Qëndrimet e të gjithëve janë aq diverse në çdo nuancë, sa çjanë të përputhura përsosmërisht vetëm në një pikë: Ata duan që Lulzim Basha dhe aleatët e tij të tjerë të “Opozitës së Bashkuar” të vendosin si kusht për reformën, ndryshimin e sistemit zgjedhore në Shqipëri. Duke u bashkuar më së shumti në modelin e sistemit proporcional me lista të hapura, pothuajse i njëjtë me atë që aplikohet në Kosovë. E pas këtij ndryshimi, të nisin marshimin e ri, drejt rikthimit në pushtet.

Në kulmin e këtij debati, Lulzim Basha pas takimit të fundit me aleatët (të cilët tashmë e kanë mbyllur përfundimisht gojën me garancinë se do jenë në pjesën fituese të listës së PD), konfirmoi se nuk do të kërkohet ndryshimi i sistemit. Duke shkuar madje deri atje sa të kritikojë ashpër të gjithë opozitarët që po këmbëngulin për të kundërtën. Duke i tërhequr fort veshin: “Alibia se fajin e ka sistemi, fatkeqësisht mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Edi Ramës”!

Më troç, më qartë dhe më sinqerisht se kaq Lulzim Basha kurrë nuk ka folur qëshkurse u zgjodh në krye të PD. Pra thoni çfarë të doni, kërkoni çfarë të doni, por ndryshim sistemi nuk ka për të patur. Pikë. Sepse kush e kërkoka ndryshimin e sistemit, nuk i shërbeka Bashës, por Ramës! Në këtë mënyrë, interesi i kryetarit të opozitës është në sinkron e i unifikuar përfundimisht, me atë të të lideri të mazhorancës.

Kjo do të thotë që mos u lodhni kot të nderuar opozitarë, antiqeveritarë dhe të gjithë ju të tjerët që kërkoni të projektoni tek Lulzim Basha liderin që do ju prijë në fitoren e betejës së ardhshme elektorale. Sepse as ai vetë nuk e do këtë. Ai është i kënaqur me status quo-në dhe kushdo që do i kërkojë sot e tutje që ai të jetë i ndryshëm nga Edi Rama për ta mundur atë, do të shpallet armik i tij dhe një njeri që i shërben Kryeministrit aktual.

Në këto kushte konfirmohet njëherë e përgjithmonë, ideja që qarkullon prej kohësh ndër shumë opozitarë shqiptarë, se:

Lulzim Basha do më shumë sistemin aktual zgjedhor, sesa fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme. Sepse ai do më shumë veten, se “Opozitën e Bashkuar”. Ai do më shumë kolltukun e Kryetarit të PD, sesa atë të kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë.

Pasi Lulzim Basha është ndër ata lloj liderësh që kërkon më mirë një vezë sot, sesa një pulë mot. Ai do që të jetë më mirë “i pari i fshatit, sesa i dyti në kryeqytet”. Ai do më shumë që ta ketë PD 100% nën kontroll, qoftë edhe si humbëse të zgjedhjeve të ardhshme, sesa të rrezikojë duke luajtur gjithçka për të fituar shumëçka.

Lulzim Basha po e përdor PD si gozhën e Nastradinit për të varur xhaketën e pushtetit të tij, kurdo që tia japin, por jo që ta fitojë vetë atë.

Ai është nga ata lloj liderësh që do ta mbajë kaçilen gjithë jetën në dorë, duke pritur derisa fruti i pushtetit të këputet e ti bie vetë mbi prehër, sesa të luaj mendjen, këmbët e duart, për tu ngjitur e ta këpusi vetë duke e shijuar triumfalisht në majën e pemës.

Na e bëri të gjithëve të qartë tashmë, se kurrë nuk do të jetë as ai lideri që mund të jetë, as ai lideri që opozitarët duan të shohin tek ai. Sepse ai kurrë nuk ka luftuar asnjëherë për asgjë në jetën e tij politikë. Sepse nuk ka patur kurrë nevojë për ta bërë këtë. Për aq kohë, sa gjithmonë ia kanë dhuruar gjithçka që ka dashur. Ndaj, ska pse të mos presë që shqiptarët, tia dhurojnë edhe kolltukun e Kryeministrit.

Me sa duket, ai vetë nuk e ka me nxitim. Ndaj edhe e ka marë shtruar e me nge’ këtë punë. Sepse në mos në 2021, mbase ia jepni në 2025… Ai i ri është shyqyr Zotit. Ka kohë. Është koshient dhe shumë i qartë për këtë. Ndaj, është edhe më i qetë se të gjithë opozitarët e tjerë. Ndaj, nervozohet ndonjëherë si sot, kur duan që tia prishin qejfin dhe rehatinë!