Quhem Blerina G. Kam një vajzë 3-vjeçe qe kohët e fundit më ngjan se i përsërit shumë fjalët sa më duket si marrje apo mbajtje goje. Kur nxiton thotë përshembull: Mami do do do ikim te lodrat. Ju lutem më thoni sa duhet të pres se mos kjo gjë rregullohet dhe deri në çfarë moshe dhe në cilën pikë përbën shqetësim? Kujt duhet t’i drejtohem dhe a jam duke u shqetësuar kot për momentin? Theksoj që familjarët e mi nuk e shohin aspak si shqetësim sepse ajo e bën rrallë. Ju falënderoj shumë. Mbetem në pritje të një përgjigjeje. Me respekt, Blerina.

Berjana Molla, Logopede, QSUT, përgjigjet : Përshëndetje, ju falënderoj që më keni shkruar. Deri në çfarë moshe dhe në cilën pikë përbën shqetësim?! Belbëzimi (ç’rregullimi i rrjedhshmërisë) është një ç’rregullim në komunikim, që ndërhyn në aftësinë e fëmijës për të folur rrjedhshëm.

Ai përfshin përsëritjen, zgjatjen, ose bllokimin e tingujve, fonemave, rrokjeve ose fjalëve. Belbëzimi zakonisht fillon mes moshës dy dhe katër vjeç dhe mund të ndodhë të vazhdojë të zhvillohet ose dhe të ndalojë në këtë moshë dhe të rikthehet në para adoleshencë diku në kufi të 12 vjeç. A po belbëzon vajza juaj?!

Belbëzimi ndërpret rrjedhshmërinë e të folurit, por këtë mund ta bëjnë edhe gjendje të tjera. Të gjithë ne edhe të rriturit përsërisim fjalë, rrokje në raste të caktuara, asnjë nuk ka të folur që është plotësisht i rrjedhshëm. Të gjithë ne i përziejmë dhe ngatërrojmë fonemat, rrokjet, kthehemi mbrapa dhe e përmirësojmë fjalinë, ose provojmë të themi dy fjalë në të njëjtën kohë. Vajza juaj që është duke mësuar të flas, natyrisht që do të ngecë më shpesh se të rriturit dhe fëmijët që janë më të rritur. Për shkak se fëmijët me jo-rrjedhshmëri normale shfaqin shumicën e sjelljeve të njëjta të njohura edhe si belbëzim, do të jetë e vështirë për ju të dalloni atë prej belbëzimit. Nëse vazhdoni të jeni e shqetësuar në lidhje me të folurin e vajzës tuaj, unë këshilloj të bëni një vlerësim me një logoped për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë më belbëzim./dritare.net

*Për çdo pyetje ose këshillë ju mund të kontaktoni me logopeden Berjana Molla, në adresën e emailit : [email protected]