Nga Fatjon Malaj

Qassem Soleimani, komandanti i lartë i Gardës së Revolucionit në Iran, e njohur si Forca “Quds”, u vra më datë 03.01.2020 në një sulm pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit, së bashku me zëvendës komandantin e milicisë shiite Irakiane Hashbi Shabi, Abu Mehdi El Muhendis. Por kush është gjenerali për vrasjen e të cilit në Irak festohet, ndërsa në Iranin i cili prej disa dekadash e ka cilësuar si “Birin e tij hero legjendar” është shpallur zi kombëtare. Qassem Soleimani lindi më 11 Mars 1957 në qytezën e vogël të Raborit në Iran.

Gjatë fëmijërisë së tij familja u transferua në qytetin e Kirmanit, me qëllim për të ndihmuar babain për të shlyer kredinë e marrë në bankën e shtetit ai filloi të punojë si puntor ndërtimi. Gjatë kohës në të cilën ai nuk punonte merrej me sportin e gjimnastikës si dhe me peshëngritje gjithashtu kalonte kohë duke dëgjuar predikimet e një predikuesi vendas të quajtur Hyxhet Kamjab. Mbasi kreu arsimin fillor, Qassem Soleimani u bashkua me Ushtrinë e Gardës Revolucionare. Karrierën ushtarake e filloi pas Revolucionit Iranian në vitin 1979, dhe me vetëm 45 ditë stërvitje u pranua në ushtri.

Përvojën e tij të parë në frontin e luftës e pati në Mahabad, në perëndim të Iranit, kundër grupeve të armatosura kurde të rebeluara pas revolucionit iranian, të cilat u shtypën përgjakshëm nga Soleimani dhe shokët e tij. Qassem Soleimani tërhoqi vëmendjen e Teheranit me angazhimin e tij tejet të zellshëm në luftën Iran-Irak mbas revolucionit. Menaxhoi me sukses shumë operacione në thellësi dhe në prapavijë të frontit të luftës, kryesisht operacione klandestine. Gjatë operacioneve në tokat Iraniane të pushtuara nga Iraku plagoset rëndë por arrinë të shpëtojë dhe kthehet shpejt nën armë. Në moshën 20 vjeçare, mori komandën e Lidhjes së 41-të Sarullah dhe me gradën toger mbas spikatjes me shumë sukses në këtë luftë filloi të ecte me shpejtësi në hapat e karrierës së tij ushtarake.

Me përfundimin e luftës, në vitet 1990, ai u bë komandanti i Gardës Revolucionare për Provincën e Kirmanit. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre pati një angazhim tejet të fuqishëm në luftën kundër trafikut të narkotikëve dhe heroinës në veçanti, shkak për këtë ishte se ky rajon është fqinj kufitar me shtetin prodhues të Afganistanit. Në 1998, emërohet Komandant i Forcës “QUDS” për Jeruzalemin në Ushtrinë e Gardës Revolucionare të Iranit duke zëvendësuar Ahmed Vahidin. Mbasi u emërua e shndërroi Forcën “QUDS” në një njësi të fuqishme kundër spiunazhi, sabotazhi, atentatesh dhe operacionesh speciale, me qëllim operimin me sukses në zonat me interes jashtë territorit të Iranit, gjithmonë i pavarur dhe asnjëherë i kontrolluar.
Forcat “QUDS” janë regjimenti special i Gardës Revolucionare të Iranit, e cila u ngrit në vitin 1979 për të mbrojtur revolucionin islamik dhe është nën drejtimin ekzekutiv të Ajatollah Khameneit dhe jo Presidentit të Republikës apo ministrit të Mbrojtjes.

Gjatë kryengritjes studentore të vitit 1999 në Teheran, ai ishte një nga oficerët e Gardës Revolucionare që nënshkroi letrën drejtuar Presidentit Mohammad Hatemi. Në të cilën presidentit i bëhej e qartë në forëm kërcënimi se Garda Revolucionare do të ndërhynte nëse nuk do të shtypej rebelimi i studentëve. Mohammad Hatemi si president i Iranit shfaqi frymë demokratike e liberale por presioni i Gardës Revolucionare, klerikëve e ndjekësve fanatik të doktrinës Khameneiane bëri që të tregonte ashpërsi revolucionare karshi protestave studentore.

Të gjithë komandantët e Gardës Revolucionare si dhe 12 gjeneralët e ushtrisë të cilët ishin komandantë të frontit gjatë Luftës Iran-Irak janë kujdesur dhe kanë mbështetur vazhdimisht njëri-tjetrin gjatë ecurisë së tyre në karrierë, duke monipolizuar sistemin e karrierës, dhe së bashku kanë qenë faktori kryesorë në përcaktimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të Iranit.

Mbështeti Aleancën e Atlantikut të Veriut kundër Talibanëve. Për shkak se talebanët vranë 7 diplomatë iranianë dhe 1 gazetar në qytetin e Mezar-i Sharif në vitin1998 në Afganistan, Qassem Soleimani megjithse nuk luftoi në front në mënyrë direkte jo me pak brerje ndërgjegje mbështeti Aleancën Veriore, të udhëhequr nga Burhaneddin Rabbani, i cili luftoi me devocion të lartë kundër Talibanëve. Duke qenë se Talebanët i përkasin sektit sunitë pjesë e të cilit janë 1.5 miliard myslimanë në botë– që vlerësohet të jenë tek 85 deri në 90%, Irani Shiit nëpërmjet agjenturës së Qassem Soleimani ka qenë gjithmonë i informuar për aktivitetet dhe gjithçka tjetër në këtë degë të Alkaedës në Afganistan si dhe në gjithë ato organizata të tjera të cilat nuk i përkasin këtij sekti. Ndërsa për organizatat terroriste me bazë ideologjinë shiite nuk e ka patur të nevojshme rekrutimin dhe krijimin e rrjeteve agjenturore sepse ideuesi, inspiruesi e urdhëruesi i gjithçkaje ka qenë vetë ai.

Lufta kundër Sadamit në Irak. Qassem Soleimani vendosi marrëdhënie të mira me krerët kurdë të Irakut të cilët luftuan kundër Sadam Huseinit gjatë luftës në Irak, organizoi kryengritjet e këtyre grupeve, me të cilat kishte vendosur marrëdhënie gjatë Luftës së Gjirit të vitit 1991. Por mbas rrëzimit të Sadamit si rezultat i pushtimit amerikan në Irak në 2003, Soleimani në mënyrë sekrete udhëhoqi shiitët që luftuan kundër ushtrisë amerikane. Gjatë negociatatave midis SH.B.A dhe Iranit në Irak fillimisht Soleimani doli në pahë duke shfaqur identitet diplomatik dhe gjatë negociatave u pasqyrua qartësishtë edhe identiteti i tij si ushtarak. Puna intensive dhe kofidente me krerët kurdë në luftën e Irakut ishte një bazë e mirë për Soleimanin për të vendosur marrëdhënie të veçanta me politikanët të cilët drejtuan Irakun mbas rrëzimit të Sadamit.

Qassem Soleimani ndërtoi marrëdhënie të mira jo vetëm me shiitët por edhe me udhëheqësit suni në Irak. Ai kishte lidhje të ngushta me një numër politikanësh, përfshirë ish-presidentin irakian Jalal Talabani, gjithashtu ndihmoi në pajtimin e liderit shiit Muqtada al-Sadr me grupet e tjera politike. Qassem Soleimani vendosi marrëdhënie të ngushta me nënkryetarin suni të Irakut, Osama Nuxhejfi, madje në vitin 2013, Nuxhejfi mori pjesë në funeralin e nënës së gjeneralit iranian në Teheran.
Gjatë një takimi me Gjeneralin Amerikan David Petraus Komandant i Forcave Amerikane në Irak në pranverën e vitit 2008 Jalal Talabani në atë kohë presidenti i Irakut i zgjatë këtij të fundit telefonin e tij celular me qëllim leximin e një teksti të ardhur me sms në të cilin shkruhej: Unë jam Qassem Soleimani, Ju duhet të dini që unë kontrolloj politikat e Iranit në Irak, Liban, Gaza dhe Afganistan. Këtë mesazh Qassem Soleimani e dërgonte te presidenti i Irakut me qëllim që ky i fundit më shumë se ta lexonte vetë tia përcillte Komandantit të Forcave Amerikane në Irak Gjeneralit David Petraus, karriera e të cilit mbas misionit të tij në Irak kapi majat më të larta.

Qassem Soleimani, bashkëpunoi me Hezbollahun në Liban, duke qenë përgjegjës për stërvitjen dhe armatimin e Hezbollahut gjatë “Luftës 33-ditore të korrikut”, e cila filloi në vitin 2006 kur Izraeli sulmoi Libanin me arsyetimin se Hezbollah kishte rrëmbyer një ushtar izraelit. Edhe më 3 Janar 2020 Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ndërpreu vizitën zyrtare në Athinë dhe u kthye në shtetin e tij për shkak të zhvillimeve të mundshme mbas vrasjes së Qasëm Soleimani.

Personi i cili e ka njohur nga afër Qassem Soleimanin, politikani i Partisë Demokratike të Kurdistanit (IKDP) Mustafa Salehzade, në një intervistë për zërin e amerikës është shprehur se: ai (Qassem Soleimani) është përgjegjës për të gjitha operacionet e jashtme të Iranit. Përgjegjësia e tij nuk është vetëm për operacionet ushtarake, por edhe për gjithçka tjetër që përfshin politika iraniane lidhur me Shiitët e Sirisë, Irakut, Libanit, dhe Jemenit. Ai është përgjegjës për përhapjen e politikës iraniane. Është përfaqësuesi më i fuqishëm i jashtëm i Regjimit Islamik Iranin në këto shtete. Ai ka një vend shumë të rëndësishëm në politikën e brendshme të Irakut, për shembull, Ambasadori i Iranit në Bagdad është një anëtar i Forcës “QUDS” i emëruar nga vetë Qassem Soleimani, të cilit edhe i raporton e ndjek gjithë çfarë ky i fundit e urdhëron. Qassem Soleimani sëbashku me autoritetet e tjera ka drejtuar operacionin e Kerkukut në Irak, një operacion i suksesshëm kundër ISIS.

Më datë 03 Janar 2020 Në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit në Irak qyteti ku Soleimani nuk do ta mendonte kurrë se do i vinte vdekja në një konvojë të Hashbi Shabi (Forca e Mobilizimit Popullorë Irakian) vritet Qassem Soleimani si dhe zëvendës komandanti i Hashbi Shabi Abu Mehdi El Muhendis njeriu që më 30 dhjetor nxiti turmat për të sulmuar Ambasadën Amerikane në Bagdad . Komandanti i lartë i Iranit Ali Khamenei ka emëruar Esmail Qaanin si komandantin e ri të njësisë elitare të Gardës Revolucionare pas vrasjes së gjeneral Qassem Soleimani në Bagdad. Tashmë mbeten për tu parë shumë gjëra e para dhe më strategjikja është se si do të zhvillohen marëdhëniet e tensionuara midis Uashingtonit dhe Teheranit, vrasja e Qassem Soleimanit duket se ka sjellë edhe fundin e tyre. Si dhe nëse gjeneral Esmail Qaani do të shfaqet si një ushtarak jo konvencionalistë mjeshtër i kundër spiunazhit, sabotazhit, atentateve dhe operacioneve speciale si paraardhësi i tij Qassem Soleimani i cili më shumë se u dha fund shtoi luftrat dhe derdhjen e gjakut apo do të ndikoi në përfundimin e tyre.