Kryeministri Edi Rama beson se opozita shqiptare që në 2019-ën mori vendimin e paprecedentë për të djegur mandatet dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, tashmë do të reflektojë dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
I ftuar në emisionin “Java” në RTSh me moderatorët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, kreu i qeverisë u shpreh: “Mendoj se opozita do marrë pjesë në zgjedhje, nuk ma ha mendja që do kemi parti politike që do të lëshojnë territorin pa luftë politike ose që do tentojnë ta lëshojnë betejën në fushën e përplasjeve e me kërkesa anti-demokratike”.
Përballë gjykimit të kritikëve se ishte ai personi që e shtyu opozitën drejt ‘vetëvrasjes’ politike, shefi i mazhorancës, ndan këtë qëndrim:
“Unë nuk kam detyrë të ndihmoj opozitën të bëhet më e fortë as që të jetë më e gatshme për të fituar zgjedhjet. Kam detyrën që në këtë sfidë me opozitën të bëj atë që është e mundur që opozita të dobësohet, natyrisht duke respektuar rregullat dhe duke ndjekur parimet e lojës demokratike pa përdorur pushtetin për ta tkurrur, intimiduar, për ta vendosur opozitën në pozitë të vështirë. Se opozita shkon drejt vetëvrasjes si rezultat i mungesës së një largpamësie strategjike, nuk më bën autor i kësaj vendimmarrje, dhe as më bën të ndihem i keqardhur”.
Kryeministri zbuloi edhe komunikimin e fundit që ka pasur me liderin demokrat, Lulzim Basha.
“Në ditët pas tërmetit i kam çuar një mesazh për t’i sugjeruar që të jemi bashkë, dhe kaq. Para këtij momenti komunikimi i fundit ka qenë kur PD ka qenë ende në parlament”, tha Rama.