“Ardhja e opozitës në tryezë është një hap i rëndësishëm për të kthyer dialogun në vend”, tha sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i ftuar në një emision televiziv. Balla duke theksuar se nuk e përcakton dot se cila ka qenë arsyeja që opozita humbi një vit kohë në rrugë pa krye të protestave kundër institucioneve, theksoi se mazhoranca ka qenë të gatshëm që një vit më parë për dialog me opozitën.
“Kryeministri Rama dhe drejtues të PS-së kanë zgjatur dorën e bashkëpunimit, sepse Kodi Zgjedhor është një domosdoshmëri. Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg, duan edhe 16 muaj. Çdo lloj ndryshimi lidhet me dy këndvështrime kryesore. Së pari, miratimi i plotë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR të cilat për tre palë zgjedhjet e fundit nuk janë adresuar, por fakti kuptimplotë i detyrave të shtëpisë të vendosura nga rekomandimet e Bundestagut gjerman e që lidhen me fillimin e bisedimeve për anëtarësim besoj se ka rezonuar sado pak në vetëdijen politike të PD-së dhe të pjesëtarëve të familjes opozitare jashtëparlamentare për t’iu rikthyer rrugës së arsyes”, tha ai. Në lidhje me pranimin e Gjiknurit si kryetar të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Balla tha se Reforma Zgjedhore ka buruar si një produkt i një konsultimi të gjerë të partive politike. Po ashtu, edhe opozita parlamentare është pjesë, pasi në Kuvend duhen 84 vota për të miratuar ndryshimet. Procedura parlamentare e përfshin Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore për të propozuar në seancë plenare miratimin”.
“E rëndësishme është fakti që kemi një rishikim, një ndryshim 180 gradë të qasjes së opozitës ndaj institucioneve të vendit. Rikthimin në parlament do ta kenë nëpërmjet procesit të zgjedhjeve. Edhe deputetët në parlament burojnë nga lista e partive politike respektive”, tha ai. “Për ne është i rëndësishëm produkti final, pra një Kod Zgjedhor i njësuar me rekomandimet e ODIHR. Një përmbyllje sa më e shpejtë e fazës së parë. Është shumë e rëndësishme që të fillojë një reformë edhe për ligjin e financimit të partive politike në vend për të garantuar transparencë të plotë”, tha ai. Në lidhje me një ekip që do shkojë në Londër për eksperiencë, Balla tha se ka caktuar një përfaqësues të grupit parlamentar të PS-së në kuadër të një bashkëpunimi që kemi me Institutin Demokratik Amerikan për të qenë në javën e parë të shkurtit në një mundësi që afrohet nga partnerët tanë për të eksploruar. “E rëndësishme është se do vijojë ky proces duke eksploruar eksperienca dhe teknologji të reja. Pra në parim PS nuk është kundër eksplorimit të teknologjive me qëllim përdorimin e tyre në zgjedhje”, tha Balla. Në lidhje me ndikimin nga partnerët për dialog, Balla tha se “qëndrimet e BE-së dhe SHBA kanë qenë për zhvillimin e dialogut”.
“Më vjen mirë që opozita joparlamentare ka reflektuar për gabimet e vitit 2019 dhe sot i është kthyer arsyes duke kuptuar se në një demokraci funksionale nuk mund të zgjidhen problematikat pa u ulur në tryezë”, tha ai. Në vijim, Balla shtoi se e rëndësishme është që të gjithë aktorët, mazhoranca parlamentare, opozita parlamentare dhe opozita joparlamentare kanë krijuar një mekanizëm që përmbledh të gjitha këndvështrimet të të gjithë spektrit politik në vend. “Komisioni Zgjedhor është institucioni që përcjell aktin final dhe do të shoqërohet me në diskutim në seancë dhe do të miratohet”, tha ai.
Balla vendosi theksin te depolitizimi i administratës zgjedhore. “Do të kemi një ndryshim të formulës së KQZ. Nuk do të kemi më një KQZ si e sotmja por do të kemi një institucion trilateral me tre organe përbërëse sipas modeleve më të mira europiane. Por, ajo që rezonon me veshin e qytetarëve duhet që në Shqipëri të marrë fund një rregull stalinist që partitë votohen dhe partitë numërojnë. Ne me dakordësinë e të gjitha palëve e kemi miratuar prej fillimit rekomandimin e ODIHR. Prej shumë palë zgjedhjesh, historia ka qenë që partitë politike emërojnë anëtarët e komisioneve dhe emërojnë numëruesit, kjo duhet të marrë fund. Dhe më në fund po shkojmë drejt një momenti të ri ku në zgjedhjet e qershorit 2021 nuk do të ketë më komisione partish të cilët marrin peng procesin nëpër qendra votimi”, tha kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.