Deputeti i PS-së, Alket Hyseni deklaroi në një intervistë televizive se shumë shpejt do ketë ecuri në hartimin e reformës zgjedhore dhe lidhur me këtë nuk do ketë asnjë kontestim nga opozita parlamentare dhe ajo jo parlamentare.

Duke folur për ecurinë e Reformës Zgjedhore, Hyseni tha se “unë nuk e di për palët e tjera por ndryshe nga palët që bëjnë debate, mazhoranca ka qenë në punë ka filluar punën për reformën zgjedhore. Është një reformë që nuk është e mazhorancës, por një reformë që i përket Shqipërisë, një reformë që sot është domosdoshmëri, pasi jo vetë është një rekomandimi i OSBE/OHDIR, por dhe një nga kushtet e shtuara në procesin e integrimit. Duke parë dhe situatën politike në Bashkimin Europian ku sinjalet për një vijim të procesit të integrimit janë pozitive dhe me çfarë duket 2020-ta ka ardhur i bardhë në këtë drejtim, ne besojmë që kjo bardhësi do të vazhdojë edhe në kuadër të reformës zgjedhore”.

“Për këtë arsye ne kemi vazhduar punën pa asnjë ndërprerje edhe se ka patur një periudhë pushimesh në rolin e ekspertëve brenda grupit tonë kemi vazhduar punën, komunikimet me njëri tjetrin. Jam i bindur se ekspertët e caktuar nga komisioni lanë vazhduar punën e tyre dhe së shpejti do të kemi dhe mbledhjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore për të konkluduar atë çfarë kemi punuar vetë. Nga ana tjetër besoj se dhe faktorë të tjerë politik që e kanë shprehur publikisht kanë qenë me një synim tjetër. Më serioze më duket edhe opozita jo parlamentare, por shoh dhe më të përkushtuar edhe opozitën parlamentare të cilët në deklarimet publike kanë shfaqur në interes të shtuar për çështjen e reformës zgjedhore. Me këtë kontekst, unë besojë se do të kemi një ecuri mjaftë pozitive të reformës zgjedhore”, tha ai.

Për sa i përket realizimit në dy faza apo ndryshimit tërësor të sistemit, Hyseni tha se “ për ne nuk ka rëndësi fazat, rëndësi ka reforma. Reforma në kontekstin tonë është një e tërë për sa kohë do të sjellim një Kod Zgjedhor dhe në proces zgjedhor nesër shumë më të mirë për shqiptarët. Një proces zgjedhor të drejtë, një process që nuk do të kontestohet më nga palët. Një process zgjedhor pasi është kryer më të gjitha rregullat e përcaktuara në fund do të jetë i pranuar nga palët edhe nga shqiptarët dhe nga partnerët tanë. Kjo ka rëndësi për ne dhe në këtë fokus ne nuk shohim çështje fazash, ne shohim çështje temash të cilat kërkohen nga shqiptarët dhe për në rendësi kanë ato tema të ndjeshme sot si rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe besoj nuk do të ketë kontestime as nga palët”.

“Nuk kemi pasur kontestime as nga opozita parlamentare dhe jam i bindur për post ecejakeve të opozitës jashtë parlamentare për post lëvizjeve të tyre të çorientuara unë besoj sa i takon atij grupi teknik, ashtu edhe para se të dilni nga parlamenti kanë qenë pothuajse dakord do të vijnë dhe ata dhe do të jenë dakord”, tha ai.

Për sa i përket mos ndryshimit të sistemit nga dy partitë e mëdha dhe një marrëveshje të mundshme me PS-PD, Hyseni tha se “nuk mund të them për një marrëveshje të mundshme konkrete. Marrëveshja do të konkludohet me vota në Parlament”.

“Ajo që presim nga opozita në kuadër të ekspertizës, që unë besoj se ka ekspertë shumë të mirë për çështjet zgjedhore, të sjellin sygjerimet e tyre, të konvergojmë në qëndrimet teknike, ndërsa për sa i përket qëndrimeve politike as nuk kërkojmë dhe as nuk presim që pa tjetër Partia Demokratike apo ndonjë subjekt tjetër të ketë të njëjtin qëndrim me ne detyrimisht, por jam i bindur se për çështjet madhore edhe PD do të ketë një qëndrim që do të konvergojë me PS. Le t’ja lëmë kohës”, -tha ai

Për sa i përket marrjes së kryesimit të OSBE nga Shqipëria, Hyseni tha se “unë jam ndierë krenarë kur Shqipëria mori drejtimin këto ditë të këtij organizmi shumë të rëndësishëm, për të mos thënë se në pikëpamjen e të drejtave të njeriut është organizmi më i rëndësishëm botëror që përfshin një numër të gjerë vendesh dhe ka ardhur dita që Shqipëria të jetë jo vetëm anëtare, por të jetë drejtuese e saj”.

Për sa i përket krizës politike, Hyseni tha se “Shqipëria nuk ka një krizë të mirëfilltë politike, ka një krizë politike të opozitës, krizë të cilën opozita me çdo formë, por edhe me elementë të caktuara të varura prej saj në shtet është përpjekur ta ngrejë në nivel të krizës institucionale, por nuk pengon rrugëtimin tonë”.