“S’ka rrugë më të mundimtë se “shtyje ta shtyjmë“, por kur ka vullnet të mirë që nxitet nga dëshira për Shqipërinë, çdo tekë politike zhbëhet, qëllimet afrohen, mosmarrëveshjet sheshohen”, deklaroi sot ministrja e Shtetit Për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Duke folur për Reformën Zgjedhore, zëdhënësja e qeverisë, Spiropali theksoi se ishte, “tejet thelbësor përbashkimi sot, rreth një tryeze për të diskutuar me frymën e së ardhmes, pas një viti lufte të pakuptimtë me mjetet e së shkuarës, rreth avancimit të procesit të Reformës Zgjedhore, duke arritur në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR”.
“Këshilli politik i krijuar për Reformën Zgjedhore dëshmoi edhe njëherë se idetë e tryezës, janë fuqimisht më dobiprurëse se rruga… e harresës!” – tha Spiropali.
Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën sot në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Petrit Vasili (LSI) dhe Oerd Bylykbashi (PD).
Në përfundim të këtij takimi u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për reformën zgjedhore, ndërsa palët u angazhuan që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020.