“Investimi në siguri në Shqipëri do të thotë investim në sigurinë e BE. Një Shqipëri më e sigurt do të thotë një Europë më e sigurt”, deklaroi sot Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Ambasadori Luigi Soreca. I pranishëm në inaugurimin e ambienteve të reja të Repartit special RENEA, Soreca shprehu kënaqësinë e tij që “në këtë përvjetor të 107-të Policisë së Shtetit shqiptar të përurojë këtu sot selinë qendrore të forcës së RENEA, që është një forcë speciale në Shqipëri, e ndërtuar së bashku ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe BE-së”.
Soreca u shpreh se, “RENEA është në fakt forca elitare lider e Policisë së Shtetit, e cila kryhen disa nga ndërhyrjet më të rëndësishme sa i përket zbatimit të ligjit dhe t’i japësh RENEA-s infrastrukturën më të mirë të mundshme është gjëja më e mirë dhe me përparësi”. Ambasadori theksoi se, “kjo seli qendrore ofron në fakt hapësira trajnimi, por edhe mbështetje të përmirësuara logjistike të dhe operacionale, si dhe një vendndodhje për të ulur kohën e reagimit. Kjo do të ndihmojë në fakt në rritjen e sigurisë në Shqipëri dhe të qytetarëve shqiptarë. Po ashtu do të përmirësojë edhe reagimin e shpejt të këtyre forcave në situatat më problematike dhe të rrez ikshme”.
Për shumë vite tashmë, theksoi Soreca, “BE ka bashkëpunuar me forcat shqiptare të sigurisë për të modernizuar operacionet e Policisë së Shtetit. Lufta kundër krimit të organizuar është një përparësi kryesore e BE dhe për këtë arsye është e rëndësishme që kjo luftë të përshpejtohet, të ndiqet paraja, të përmirësohen hetimet, por po ashtu edhe ndjekja penale dhe dënimet në gjykata”. Vetëm në vitet e fundit, nënvizoi ai, “BE ka investuar 15 milionë euro për të modernizuar pajisjet e infrastrukturën dhe menaxhimin e Policisë së Shtetit dhe operacionet e doganave. Ne japim mbështetje mjaft të konsiderueshme teknike dhe operacionale me anë të projekteve PAMECA, SANCAS që është në fakt survejimi ajror në luftën kundër kanabisit, si dhe me ardhjen në Shqipëri të oficerit të kontaktit të EUROPOL-it. Përveç këtyre, ne kemi punuar së bashku me forcat shqiptare të sigurisë për të modernizuar menaxhimin e kufirit”.
Në dy vitet e ardhshme, tha Soreca, “BE do të dedikojë 19 milionë euro të tjera për të zhvilluar më tej Akademinë e Sigurisë, për të përmirësuar kompetencat e hetimeve financiare proaktive dhe për të përmirësuar menaxhimin e kufirit të gjelbër dhe blu të Shqipërisë”. “Pikërisht ky lloj ndërtimi, arsyeja pse jemi këtu sot duhet parë në një këndvështrim më të gjerë. Si një gur kilometrik shumë i rëndësishëm në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe BE në luftën kundër krimit të organizuar”, tha Soreca.
Ai shtoi se, “duke punuar më tej, pas këtyre investimeve të konsiderueshme, është e rëndësishme që të ketë një përparësi të lartë në planifikimin financiar të institucioneve. Krimi i organizuar dhe i rëndë nuk janë një fenomen vendor dhe lokal. Në fakt ata varen së tepërmi nga lidhjet e tyre transkombëtare në bashkëpunimet transkombëtare të këtyre kriminelëve të nacionaliteteve të ndryshme. Prandaj krimi i organizuar duhet luftuar nga të gjithë. Investimi në siguri në Shqipëri do të thotë investim në sigurinë e BE. Një Shqipëri më e sigurt do të thotë një Europë më e sigurt”.