Ministria e Financave dhe Ekonomisë vjen më afër qytetarëve dhe bizneseve përmes 477 shërbimeve online që ofrohen përmes platformës e-Albania. Gjatë 2020 janë programuar të jenë online 94% e të gjitha shërbimeve që ofrohen nga institucionet në varësi të MFE-së. Ky transformim i rëndësishëm lehtëson praktikat dhe shkurton radhët e pritjes.

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi, gjatë vizitës në një biznes theksoi se “qeveria ka filluar një reformë të thellë në lidhje me shtimin e ndjeshëm të shërbimeve nëpërmjet portalit e-albania”. Ministria e Financave ka afro 480 shërbime që planifikon t’i ofrojë online nga të cilat 188 janë që prej 1 janarit 2020 dhe pjesa tjetër do të ofrohet brenda 2020 duke lënë vetëm 6% të shërbimeve, të cilat do të ofrohen në sportele, pasi kërkojnë prezencë fizike”. Pronari i biznesit u shpreh se “pa diskutim është një lehtësim shumë i madh jo vetëm në kohën, por edhe në para. Duke qenë se ne jemi një nga bizneset e vjetra merrnim pjesë në tenderat e ndryshëm publikë dhe ishim të detyruar të merrnim shumë dokumente që nga ekstraktet që duheshin patjetër, vërtetime pagesash e të gjitha me radhë, gjë që na kushtonte shumë kohë”.

“Tani arrijmë ti marrim këto dokumente direkt në kohë nga faqja e “e-albania” është shumë e thjeshtë në përdorim dhe në marrjen e dokumenteve”, – tha ai. Zv/ministri Haxhi theksoi se “vetëm nga Qendra Kombëtare e Biznesit në ofrimin e shërbimeve online që kemi futur, nga janari i 2020 kemi bërë një përllogaritje dhe janë afro 3 mijë e 100 ditë të kursyera për biznesin vetëm nga ofrimi i këtyre shërbimeve”. “Nëse ti kursen një shërbim të një institucioni shtetëror patjetër që ky ndikon edhe në një hallkë tjetër që ndikon pas saj, e cila mund të përdorë këtë dokument si bazë për ta kërkuar nëpërmjet platformës online. Përfitimi është i jashtëzakonshëm prandaj ne jemi fokusuar në këtë prioritet ju nxisim ta përdorni sa më shumë dhe të evitoni kontaktin me sportelet fizikisht””-, tha zv/ministri Haxhi.