Manchester City i Pep Guardiolës sfidon Manchester United e Ole Gunnar Solskjaer, në gjysmëfinalen e kthimit të “League Cup”. Për të siguruar finalen, “Djajtë e Kuq” thirren në këtë derbi, në fushën e rivalëve, duke pasur parasysh që në ndeshjen e parë, “qytetarët” pushtuan “Old Trafford”, me fitoren 3-1 (golat e Bernardo Silva, Mahrez dhe autogoli i Andreas Pereira). “Rrjeta” e vetme e të kuqve u realizua nga Rashford. Ekzistojnë 4 precedentë në Kupën e Ligës midis dy skuadrave të Manchesterit, me një ekuilibër të përsosur, nga 2 fitore në secilën anë.
Ndeshja e fundit e këtij kompeticioni ishte në raundin e katërt të vitit 2016. Me atë rast, Manchester United fitoi 1-0, falë një goli të Juan Mata. “Qytetarët” e kanë fituar trofeun 6 herë në historinë e tyre; dy të fundit në dy sezonet e kaluara, ndërsa “Djajtë e Kuq” 5 herë, i fundit në vitin 2017. Raheem Sterling, me 3 gola, është golashënuesi më i mirë i Manchester City në këtë garë, ndërsa Rashford, i cili shënoi 4 gola, është sulmuesi më efikas i “Djajve të Kuq”. Ky derbi i Manchesterit do të startojë në “Etihad Stadium”, prej orës 20:45.
Guardiola pritet të hedhë në fushë një formacion 4-3-3. Përpara, në sulm, Bernardo Silva dhe Sterling do të veprojnë si “krahë” të Aguero. Argjentinasi është i favorizuar ndaj Gabriel Jesus për rolin e qendërsulmuesit. Mahrez duhet ta fillojë nga pankina. Në mesfushë, Rodri mund të shërbejë si “regjisor”, duke pasur në krahë De Bruyne dhe Gundogan. Në mbrojtje, para portierit Ederson, Walker dhe Mendy do të veprojnë në krahë, ndërsa Stones e Fernandinho si qendrorë.
Solskjaer pritet të zgjedhë një modul 4-2-3-1. Mes shtyllave do të jetë De Gea, ndërsa në vijën mbrojtëse me katër, çifti qendror do të përbëhet nga Lindelof e Maguire. Wan-Bissaka dhe Brandon Williams do të pozicionohen në dy krahët e prapavijës. “Tandemi” i mesfushës do të përbëhet nga Fred dhe Matic. Përpara tyre, Greenwood, Mata dhe Daniel James. Sulmuesi i vetëm do të jetë Martial. Rashford nuk do të jetë atje, për shkak të lëndimit.