Kryeministri Edi Rama foli sot për hapat e përbashkët deri në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin që do të mbahet në 17 shkurt në Bruksel, ndërsa vlerësoi angazhimin në këtë proces të Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin Várhelyi, i cili ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Tiranë, Kryeministri Rama theksoi faktin se ishte pikërisht Komisioneri që në momentin e parë vuri në lëvizje edhe mekanizmin e disbursimit të fondit të parë për të ndihmuar Shqipërinë në atë moment emergjencë të madhe.

“Ishte një kënaqësi që sot nisëm ditën së bashku me Komisionerin Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin dhe gjëja e parë që dëshiroj të them, jo për protokoll, as për mirësjellje formale, po për hir të një të vërtete shumë të thjesht, është shprehja e mirënjohjes dhe e falënderimit për Komisionerin, i cili qysh në momentin e parë pas rënies së tërmetit, që solli një tragjedi në jetën tonë, u angazhua personalisht dhe në mënyrë të vijueshme”, tha Rama. Kryeministri vlerësoi se “Komisioneri Várhelyi është interesuar drejtpërdrejt qoftë për të marrë nga unë informacion në kohë reale për ecurinë e situatës, qoftë për të sensibilizuar të gjithë të tjerët në funksion të nevojës së madhe të Shqipërisë për mbështetje”.

“Po ashtu, ishte pikërisht Komisioneri që në momentin e parë vuri në lëvizje edhe mekanizmin e disbursimit të fondit të parë për të ndihmuar në atë moment emergjencën e madhe. Së bashku sot kemi vazhduar diskutimin për organizimin e Konferencës së Donatorëve, që do të mbahet në datën 17 shkurt, në Bruksel dhe për të cilën Komisioneri me të tjerët janë tërësisht të angazhuar”, tha Rama. I them këto, vijoi kryeministri, “sepse në momentet e vështira që kemi kaluar kemi pasur mundësinë të çmojmë miqtë e vërtetë të vendit tonë”. “Jam shumë i kënaqur që sot e presim Komisionerin këtu si një mik të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shumë faleminderit për gjithçka keni bërë dhe po bëni”, tha Rama.