Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldinho, sheh shumë ngjashmëri mes Gabriel Martinellit dhe Ronaldos, duke thënë se adoleshenti i Arsenalit do të bëhet ndër lojtarët më të mirë në botë në të ardhmen. Martinelli, vetëm 18 vjeç, bëri një përparim të madh duke kaluar nga një klubi i ligës më të ulët të Brazilit në Premierligë këtë verë, kur iu bashkua Arsenalit nga Ituano. Por ai nuk është hutuar aspak nga forma e jashtëzakonshme dhe fama e shpejtë, duke i shënuar 10 gola në 21 paraqitje në të gjitha garat për Arsenalin.

Braziliani i ri është bërë sensacion pasi vrapoi me top duke e kaluar pothuajse tërë fushën për ta shënuar golin e barazimit të Arsenalit 2:2 me Chelsean. Edhe Ronaldo kishte dalë në skenë duke e shënuar një gol të ngjashëm për Barcelonën kundër Compostela. Prandaj, Ronaldinho, fituesi i Kupës së Botës me Brazilin më 2002, sheh ngjashmëri në lojën e tyre. “Ne brazilianët jemi të ngazëllyer për të dhe të ardhmen e tij. Të kesh talent është diçka tjetër, e diçka tjetër të kesh vetëbesim në moshën 18-vjeçare. Ai ma kujton Ronaldon në sezonin e tij të parë në Evropë, kur i shënoi 30 gola dhe njerëzit po thoshin: ‘kush është ky djalosh 18-vjeçar nga Brazili?” tha Ronaldinho për Mirror.“Ai e kërkonte topin, vraponte me të në drejtim të lojtarëve, pa pasur frikë se kundër kujt luante dhe unë shoh ngjashmëri te  Martinelli”, shtoi ai. “Edhe ai e dëshiron topin dhe të shënojë gola. Ronaldo u bë njëri prej më të mirëve në botë dhe ky mund të jetë edhe synimi i Martinellit”, theksoi ai.