Futbollisti i kombëtares shqiptare, Odise Roshi ka treguar njeriun e parë që i bëri përshtypje talenti i tij me topin.
Në intervistën speciale në “Rtv Ora”, Roshi tha se ishte gjyshja ajo që identifikoi talentin e tij, për të kaluar më pas nën urdhërat e Roland Mehmetit dhe Zhdanov Tartarit me moshat e Apolonisë.
Më tej, Roshi tregoi emocionet e grumbullimit të parë në kombëtaren e madhe.
“Ka qënë gjyshja ajo që më tha se Odi ka talent. Ajo më ndiqte gjatë gjithë kohës. Në nivel profesionistësh është një trajner në Fier që kam respekt dhe mbaj kontakte me të, është Roland Mehmeti dhe një trajner tjetër, Zhdanov Tartari që kanë qënë me moshat e ekipeve U-13, U-14 të Fierit. Më pas kalova me U-16 e kombëtares deri sa arrita në ekipin e parë.
“Kam qënë mos gaboj me U-17 apo me U-15 nuk më kujtohet mirë. Kam ndjerë një kënaqësi shumë të madhe kur më thanë se ka mbërritur ftesa. Kemi pasur një grumbullim në Turqi, në Trabzon. Ka qënë një kënaqësi shumë e madhe për mua se aty filluan hapat e parë në kombëtare,” tha futbollisti i Grozny në Rusi.
Në një skuadër futbolli, marrëdhënia mes lojtarëve dhe trajnerit nuk është gjithmonë “vaj”. Përplasjet janë të pashmangshme. E te ekipi kombëtar shqiptar, të shpeshta janë konfliktet mes Odise Roshit dhe Edi Rejës.
Episode që sipas futbollistit lindin pasi ai ngacmon shokët e ekipit dhe në syrin e trajnerit duket se nuk është aspak i fokusuar. Megjithatë, në intervistën për “Rtv Ora”, lojtari i Akhmat Grozny ka gjetur kohë edhe për t’i hedhur “kunja” italianit.
“Kam folur shpesh me trajnerin. Ma thotë shpesh këtë. E kam dëgjuar se flet fjalë shumë të mira dhe unë kam respekt për të pasi ka një eksperiencë të madhe në stol. Më ndodh që jam i mërzitur dhe bëj muhabet me ndonjë dhe duket sikur nuk jam i fokusuar. Prandaj e thotë edhe këtë”.
Çfarë e acaron Roshin te Reja? “Ka vetëm një gabim trajneri Reja. Është thjesht që të mos e kalojë vijën sepse gjithmonë arbitri i thotë të futet brenda dhe ai qëndron gjithmonë jashtë (qesh),” tha Roshi.