“Gjithkush nga aleatët tanë qëndron krah Shqipërisë”, deklaroi sot gjeneralmajor Jeronim Bazo, i pyetur në një intervistë televizive nëse Shqipëria rrezikohet pas konfliktit SHBA-Iran.
Bazo, i cili është aktualisht Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Rajonale të Sigurisë në Zagreb u shpreh se, “gjithkush nga aleatët tanë qëndron krah Shqipërisë, nëse do të vijë puna për të pasur një rrezik më eminent, më të prekshëm. Është përmendur dhe me emër Shqipëria me sa kuptova nga ndjekja e medieve të ndryshme, por vetëm kaq. Nuk besoj që ne do ekspozohemi më tepër. Kuptohet që ky është një shkak për organet tona të inteligjencës, institucionet tona përkatëse, ligjzbatuese dhe më gjerë të rrisin alertën dhe shkallën e vigjilencës dhe parandalueshmërisë të ndonjë rreziku më të prekshëm”.
Por, shtoi ai, “nga ana tjetër të jeni të sigurtë që prania jonë në Aleancë na mbulon më së miri nëse do vijë çështja në një situatë më të përshkallëzuar, gjë që nuk e shoh për momentin”.
Bazo u shpreh se, “duhet të kemi parasysh edhe diçka tjetër, një fakt që shpeshherë e anashkalojmë. Për fat të mirë të qenit aleat me SHBA dhe të qenit në NATO është një nga momentet më të pakta ku spektri ynë politik shqiptar është në unitet, është i njëzëshëm dhe kjo është shumë e rëndësishme për t’u rikujtuar. Pra, sado që të diskutohet dhe në debatin e brendshëm, kur vjen çështja e të qenit krah SHBA dhe NATO besoj që faktet dhe historia ka treguar që aty ne jemi një. Qoftë dhe fakti i pranimit të opozitës muxhahedine iraniane në Republikën e Shqipërisë. Është një vendim i marrë në unison, ka filluar në të gjithë spektrin politik shqiptar. Pra në këtë aspekt ne jemi një dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe shton sigurinë e Shqipërisë”.
Bazo foli edhe për takimet dhe bisedimet me homologët amerikanë apo të NATO-s ku theksoi se vlerësohet kontributi i Shqipërisë në këtë Aleancë.
“Ata janë thjesht të mrekulluar dhe jo të befasuar. Na vlerësojnë dhe na shikojnë si një aleat të besueshëm. Rreshtimi ynë në këtë Aleancë i bën ata tepër dashamirës dhe gjithnjë më të përkushtuar kur vjen fjala për të vlerësuar Shqipërinë dhe kontributin e saj. Ata janë mëse të ndërgjegjshëm që ne jemi një vend i vogël me kapacitete të kufizuara me ekonomi ende fraxhile, të dobët, me institucione që shpresoj t’i forcojmë me kalimin e kohës. Janë krejt të ndërgjegjshëm, por asnjëherë nuk harrojnë të nënvizojnë faktin që ne jemi pranë jush. E vlerësojnë jashtëzakonisht faktin që kemi qëndruar besnik gjatë gjithë tallazeve që mund të ketë sjellë situata europiane dhe globale”, tha gjeneral Bazo.
I pyetur mbi ngritjen e bazës së NATO-s në Kuçovë, Bazo tha se, “Në një situatë të tillë që është sot disi më e nxehtë, më e përshkallëzuar del menjëherë rëndësia e veprimit që u ndërmor para 2-3 vjetësh për të filluar për të ngritur një bazë taktike rezervë të NATO-s në aeroportin e Kuçovës. Ky është një veprim tregues se Aleanca është pranë nesh. Shpresoj që çështja të mos të shkojë që baza taktike operacionale rezervë e NATO-s të bëhet urgjentisht aktive. Shpresojmë që mos të vijë situata në të tilla dimensione, por vetë prania, fakti i fillimit të punës së kthimit të bazës në dispozicion të Aleancës tregon pikërisht një shkallë të rritur të sigurisë të Shqipërisë”.
Si Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Rajonale të Sigurisë në Zagreb, i pyetur mbi arkitekturën e sigurisë në Ballkan në këto momente, Bazo tha se, “qendra jonë ka 20 vjet që është në funksionim. Tani e kishte radhën Shqipëria për ta kryesuar ose drejtuar këtë qendër, ku tani jam unë drejtori ekzekutiv i kësaj qendre dhe qëllimi i punës sonë është pikërisht për të rritur urat e bashkëpunimit dhe për të mbajtur të ndezur dhe gjallë dialogun midis vendeve të rajonit, çka rezulton shpesh herë e vështirë për faktin e historisë së hidhur që ka pasur rajoni ynë dhe për shkak të historisë së freskët të hidhur sërish të rajonit tonë, por struktura aktuale besoj është e mjaftueshme që të ekzistojë vullneti për ta parë në sy të ardhmen sepse e ardhmja e këtij rajoni është duke mbajtur hapur urat e komunikimit. Sepse kemi më shumë gjëra që na bashkojnë se ato që na ndajnë. Është e rëndësishme të flasim me njëri-tjetrin dhe të mbajmë gjallë objektivin final që është rruga drejt institucioneve euro-atlantike. Këtë e ritheksoj. Kjo është rruga që na çon me qetësi në rajon për të mbajtur gjallë frymën euro-atlantike. Qendra jonë këtë punë bën”.
I pyetur mbi marrëdhëniet Shqipëri-Kroaci, Bazo tha se, “do të thosha që marrëdhëniet zyrtare të Shqipërisë me Kroacinë janë në shkallën më të mirë të mundshme. Gjatë kohës që unë po bëj 1 vit këtu ka pasur vizita të ndërsjella të nivelit më të lartë të Kryeministrit të Shqipërisë në Kroaci të Presidentit të Shqipërisë në Kroaci dhe anasjelltas Presidentes kroate në Tiranë. Ka pasur vizita të shumta të nivelit të lartë në nivel ministerial. Po kështu dhe marrëdhëniet kulturore dhe sociale janë të një niveli shumë të kënaqshëm dhe për faktin se në Kroaci ekziston një komunitet i shqiptarëve të vjetër të Zarës në Zadar, por dhe shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Pra është një komunitet që shërben si urë lidhëse e marrëdhënieve shqiptaro-kroate”.