Çmimet e paketave të cigareve u rriten me 10 lekë në fillim të janarit. Burimet nga tregu i furnizimit me shumicë pohuan se, shkak u bë rritja e akcizës me 5 lekë në fillim të këtij viti e parashikuar në kalendarin e akcizës që në paketën fiskale të vitit 2017.
Përllogaritja e TVSH-së mbi rritjen 5 lekë e kanë rritur çmimin fundor të një pakete me 10 lekë.
Në paketën fiskale të vitit 2017 qeveria miratoi një kalendar për rritjen e akcizës vit pas vit deri më 2021.
Sipas këtij kalendari akciza në vitin 2020 arriti në 6250 lekë për 1000 copë cigare nga 6000 lekë që ishte vitin e kaluar. Sipas kalendarit që tashmë është në fuqi vitin që vjen akciza për 1000 copë cigare shkon në 6500 lekë.
Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet duke rritur çmimin e shitjes së tyre.
Mirëpo në rastin e Shqipërisë rritja e akcizës shoqërohet me rritje të kontrabandës, siç edhe ka ndodhur që kur kjo politike e taksave me rritje ka nisur të aplikohet.
Ministria e Financave ka sqaruar se me qëllim përafrimin e mëtejshëm me Direktivën e BE 2011/64, e cila përcakton nivelin minimal të akcizës për cigaret të paktën 90 euro për 1000 cigare, riskedulimi i rritjes siguron një politikë të qëndrueshme taksimi sipas standardeve të BE-së.