Rruga që lidh Tiranën me Kuçovën, duke kaluar nga Belshi, është një nga investimet më të mira të qeverisë, e cila do të finalizohet tërësisht me punimet që po kryhen në rrethrrotullimin e Kozarës. Në rrethrrotullimin e Kozarës, i cili është segmenti i fundit ku po punohet në këtë aks rrugor, ka nisur dje puna për t’i dhënë fund kaosit që krijohej në qarkullimin e mjeteve. Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj informoi se “ka nisur puna për përfundimin e plotë të rrugës që lidh Kuçovën me Tiranën nëpërmjet Belshit”.
“Në këtë mënyrë merr fund dhe kaosi që krijohej në këtë segment, pasi lëvizja e mjeteve tanimë do të drejtohet sipas projektit dhe në bazë të sinjalistikës së duhur”, tha ajo. Felaj shtoi se “në fillim te shkurtit merr zgjidhje përfundimtare edhe shpronësimi i disa objekteve të tjera në zonën e ish-TEC Kuçovë, për t’i hapur rrugë investimit më të madh por edhe më të rëndësishëm që qeveria ka dhënë për Kuçovën”. Rruga që kalon nga Belshi, lidh kryeqytetin me Kuçovën në një kohë më të shkurtër, ndërkohë që falë investimit të qeverisë ajo është e pajisur me ndriçim dhe gjithë sinjalistikën e nevojshme.