Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bashkë me një grup studentësh panë nga afër sallën digjitale në spitalin e ri kirurgjikal në QSUT, që ministrja e quan një risi që do t’i shërbejë formimit të mjekëve të ardhshëm.

“Salla digjitale ku ndërhyrjet kirurgjikale do të mund të shihen nga studentët online, është një prej risive të spitalit të ri kirurgjikal në QSUT, i cili do t’i shërbejë edhe formimit të mjekëve të ardhshëm, të cilët kanë tashmë kushte dhe standarde europiane për praktikat klinike”, shkruan ministrja në profilin e saj në facebook.

Spitali i ri kirurgjikal në QSUT “Frederik Shiroka” u inagurua dje në praninë e kryeministrit Edi Rama, një investim ku gjithçka i përket fjalës së fundit të teknologjisë. Spitali kirurgjikal, me tre shërbime kirurgjikale kryen mbi 32 mijë ndërhyrje kirugjikale në vit. Spitali i ri kirurgjikal ka një kapacitet me një bllok sallash operatore të përbërë nga 7 salla operacioni. Spitali kirurgjikal ka një kapacitet prej 120 shtretër. Siguron standarte të larta në dhomat e pacientëve, me mobilim spitalor dhe kushte spitalore të njëjtë me spitalet në Europë. 30 milion dollarë po investohen në QSUT, për ndërtimin e Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme, i cili përfundon vitin e ardhshëm dhe ndërtimin dhe rehabilitimin e Spitalit Pediatrik, investime që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët, jo vetëm të Tiranës, por të gjithë qytetarëve

Nga këto investime pëfitojnë 350 mijë pacientë, rreth 3000 punonjës staf mjekësor dhe jo mjekësor, si dhe rreth 1,000 studentë të mjekësisë.