Kryeministri Edi Rama u ndal të fliste edhe për shërbimet që do të ofrohen online, ku vuri theksin te karta e shëndetit. Përmes batutash Rama solli në vëmendje edhe një të prekur nga tërmeti i cili kërkonte gruan, duke thënë se më herët kur humbiste një person i kërkonin mjetet e tij të identifikimit.
“Deri më sot kemi pasur një fluks marramendës, masiv, popullatë në lëvizje për të marrë letra këtej e andej për një vërtetim, për kartën e shëndetit. Të gjitha këto mbarojnë këtë vit dhe aplikimet mund të bëhen të gjitha nga shtëpia, përmes celularit a një kompjuteri. Të gjitha i janë kërkuar qytetarit. Kishte një vërtetim që ju s’do e besoni, për të kërkuar një njeri të humbur jashtë shtetit. Ai që e kërkon duhet të paraqesë kartën e identitetit të atij që ka humbur. Nëse do ju humbiste gruaja si atij që i humbi gruaja kur ra tërmeti duhet të kishte pasaportën e saj. Një mal me letra që ne po e heqim. Unë po bëj aplikimin, dua kartën nga shteti, pse ta marr unë kur është detyrë e shtetit”, tha Rama.