“Shqipëria po kalon një fazë të rëndësishme në fushën e inovacionit, pasi falë revolucionit dixhital, shërbimet publike shtetërore po kalojnë online masivisht”, deklaroi sot ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, ndërsa inkurajoi të rinjtë në zhvillimin e projekteve të tjera në fushën e inovacionit. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi ishte pjesë e jurisë së Konkursit të Kodimit, të organizuar këtë të premte nga “IDRA Research & Consulting”, në bashkëpunim me TechSpace.
Pjesë e kësaj jurie ishte edhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, drejtori ekzekutiv i “IDRA Research & Consulting”, Auron Pasha dhe Elda Xhumari, pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. “IDRA Research & Consulting”, në bashkëpunim me TechSpace organizuan këtë të premte fazën finale të Konkursit të Kodimit, ku garuesit prezantuan mënyrat se ia dolën të realizonin zhvillimet e aplikacioneve në web ose mobile të projekteve të përcaktuara në çelje të konkursit.
Pas prezantimit të 5 zhvillimeve, juria shpalli fitues të vendit të parë Oltion Driza me aplikacionin Agroprice, të vendit të dytë Sergei Skënderi dhe Edmirjano Precin, fitues i vendit të tretë. Për të tre fituesit, “IDRA Research & Consulting” ofron mundësi punësimi, si dhe një shpërblim monetar. Pas dhënies së çmimeve, ministri Shalsi përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit dhe i inkurajoi që të jenë pjesë aktive e zhvillimeve teknologjike në vend. “Siç e dini Shqipëria po kalon një fazë të rëndësishme në fushën e inovacionit, pasi falë revolucionit dixhital, shërbimet publike shtetërore po kalojnë online masivisht. Ndaj, jeni ju ata që duhet të jeni të fokusuar në zhvillimin e projekteve të tjera, për të qenë pjesë në të ardhmen e afërt e nismave të ndryshme në fushën TIK”, u shpreh ministri Shalsi.
Pjesëmarrësve në Konkursin e Kodimit iu ofrua që të zhvillonin aplikacione web ose mobile në dy drejtime: për monitorimin e çmimit të tregut për produktet bujqësore dhe për t’u ardhur në ndihmë personave që janë te vetmuar, me pamundësi fizike ose në moshë të avancuar.