Gaz Demi është në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Zona Gol”, atje ku po flet për merkaton e Partizanit.
Për ta nisur që me një detaj, atje ku nuk është parë më puro duke u konsumuar nga numri një i të kuqëve, por një cigare.
E për të vazhduar më tej, Demi është shprehur se Partizani nuk e dëshiron Rexhinaldon, ndërsa kur flitet për ardhjen e Sormanit, konfirmohet se trajneri i ri ishte një dashuri e vetë presidentit të klubit.
“Të them të drejtën që më ka pëlqyer kjo qetësia e kësaj kohe, pa e vrarë mendjen shumë. Nga informacionet që kam trajneri është i kënaqur me ekipin nga përgatitja në Antalia dhe të presim kampionatin.
Cigarja dhe mungesa e puros: “Po e vërtet që e kam ndryshuar. Kam pak probleme te zëri, po cigaren nuk e lë dot. Prandaj kam ndryshuar llojin e saj, e kam marrë cigare angleze”.
Ndërrimet e trajnerit: “Nuk i bëj vetëm unë, por këtë herë ishte dashuria ime Sormani. Kemi lënë një projekt në mes. Doja ta merrja në qershor por për arsye familjare nuk u arrit. Na ka kërkuar vetë dhe jemi ulur për 20 orë së bashku, të tre. Dy orë kam ndenjur unë, të tjera ka qenë Olsi Rama”.
Esat Mala: “Para të gjithave vjen Partizani. Unë funksionoj si një biznesmen dhe kjo është ndërrmarrja jonë, që ka disa rregulla dhe disiplinë. Tani po flasim me lojtarin dhe familjarët e tij. Gjendet në ekipin B për momentin dhe shpresojmë që të rregullohet”.
Rexhinaldo: “Për momentin nuk kemi asnjë interes për të, megjithëse Olsi Rama po merret me disa emra, por jo për Rexhinaldon”.
Kompleksi: “Nuk po bëjmë thjeshtë një stadium, por me kushtet e UEFA-s, pra një “mini Air-Albania”. E kam nisur këtë projekt dhe dihet si në Shqipëri që jemi që kam hasur disa probleme rrugës dhe tani shpresoj që ndonjë ndeshje ta luajmë aty gjatë këtij sezoni”.
Problemet e ekipeve që nuk luajnë në shtëpinë e tyre: “Më vjen keq për Kukësin, por edhe ne ashtu jemi. Tirana ka përfituar shumë nga Partizani, shifra të majme. Është faji jonë që jemi drejtues dhe nuk punojmë shumë në infrastrukturë, por në rritjen e ekipit. Kjo është një rritje fallco për mua dhe nuk duhet kur nuk ke shtëpinë tënde.”
Ftohja mes teje dhe drejtorit?
Ne me Olsin kemi miqësi. Nuk ka pasur asnjë ftohje. Ai lëvizi për një problem familjar dhe u mora unë me këtë çështje. Por kemi qenë në një mendje. Unë, Olsi dhe Sormani kemi qenë së bashku, të tre, për 24 orë. Kur ai firmosi kontratën, Olsi ishte jashtë dhe rastisi që isha unë dhe nuk premtonte koha, kështu që firmosëm kontratën.
Sa ka qenë tarifa në “Air Albania”?
Ishte një shifër 9 milionë lekë të vjetra plus 20% të shitjeve të biletave. Shtrenjtë ka qenë, për të qenë korrekt. Nuk diskutuam shumë për çmimin, se ishte ndeshja e parë dhe ishte ulur çmimi për rastin e tërmetit. Më tej do flasim për çmimin për të qenë i volitshëm për të dyja palët.
Politika dhe ligji i sportit?
Këta të politikës i kanë fjalët të ëmbla. S’dua të merrem me politikë. Në paguajmë TVSH për sponsorët, pra të gjithë jemi me humbje.
Kampionati dhe kupa?
Ne jemi dhe për kampionat dhe për Kupë. Vetëm tri pikë janë larg kreut. Me investimet që po bëjmë, do kërkojmë kampionatin. Edhe po nuk e morëm, nuk është humbje e madhe, pasi do luftojmë për Kupë.
Keni dhpenzimet e mëdha?
Kemi shpenzime të paparashikuara, por, po nuk gabove, nuk mëson. Kur të kemi mbaruar impiantin, nuk do të na falen më gabimet.