Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) me një angazhim maksimal për garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorin gjatë festave të fundvitit, në zbatim edhe të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së, intensifikoi inspektimet në të gjithë Operatorët e Biznesit Ushqimor,(OBU) duke kryer 733 inspektime në rang vendi, jashtë inspektimeve të planifikuara.
Trupat inspektuese të AKU-së, kishin në fokus të kontrollit të tyre të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, të cilët prodhojnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore si restorante, fast-foode, pasticeri, njësi tregtmi të produkteve të mishit dhe nënprodukteve të tij, në tregje të hapura të fruta – perimeve, magazina frigoriferike të produkteve të importuara si dhe stabilimente prodhimi, me qëllim verifikimin e përmbushjes së kritereve të legjislacionit në fuqi.
Gjatë 733 inspektimeve të kryera nga trupat inspektuese, u konstatuan shkelje të lehta në 322 OBU, për të cilët u vendos masa administrative me “paralajmërim”.
Gjithashtu u vendosën gjoba në 6 OBU, të cilëve u konstatuan produkte me afat të tejkaluar konsumi në sasinë 0.08 ton produkte kryesisht lëngje frutash, të cilat u asgjësuan. Ndërsa u morën 56 mostra për analizim veçanërisht në produktet e lëndëve të para.