Juventusi kundër Romës, rikthehet supersfida në Itali. Vetëm dhjetë ditë pas ndeshjes së kampionatit, të luajtur në “Olimpico” dhe fituar nga bardhezinjtë, jo pa vuajtje, të dyja ekipet do të takohen sonte në çerekfinale të Kupës së Italisë. Këtë herë, sidoqoftë, do të luhet në stadiumin “Allianz”, deri më tani një tabu e vërtetë për Romën, e cila ka humbur gjithmonë aty, në nëntë duelet e mëparshme midis kampionatit dhe Kupës së Italisë.
Ajo e stadiumit nuk është e vetmja tabu, që e frikëson Romën, por edhe bilanci i saj kundër Cristiano Ronaldos. Plot 7 humbje dhe 6 gola të pësuar nga portugezi janë “paja” e verdhekuqve nga përplasjet me pesë herë fituesin e “Topit të Artë”. Kuptohet, kjo periudhë ngërthen kohën e tij me Real Madrid dhe Juventus . Pritet të jetë surprizë e bujshme, që Ronaldo të luajë sonte si pjesë e një “tridenti” të kompletuar nga Higuain dhe Douglas Costa.
Ky i fundit është i favorizuar “në kurriz” të Dybala. Në mbrojtje, Rugani mund të bëjë që De Ligt të “mbushet me frymë”, ndërsa Cuadrado dhe Danilo do të luajnë në krahë. Bentancur rikthehet në mesfushë, së bashku me Pjanic dhe Matuidi. Buffon në portë. Te Roma do të mungojë Dzeko për shkak të skualifikimit. Në vend të tij Kalinic, i cili do të drejtojë sulmin, i mbështetur nga Under, Kluivert dhe Lorenzo Pellegrini. Jashtë mbetet i dëmtuari Perotti. Për pjesën tjetër, trajneri verdhekuq do të përdorë formacionin më të mire. Ndryshe, tabuja e stadiumit (“Allianz”) nuk mund të prishet…
Ja formacionet e mundshme
JUVENTUS (4-3-3): Buffon; Cuadrado, Rugani, Bonucci, Danilo; Bentancur, Pjanic, Matuidi; Douglas Costa, Higuain, Cristiano Ronaldo.
ROMA (4-2-3-1): Pau López; Florenzi, Mancini, Smalling, Kolarov; Diawara, Cristante; Under, Lo.Pellegrini, Kluivert; Kalinic.