Pak orë para ndeshjes së bamirësisë që do të zhvillohet sonte në orën 18:00 në stadiumin e ri kombëtar në Tiranë, ish-lojtarët të Shqipërisë, Greqisë, Italisë dhe Turqisë kanë vizituar disa nga familjet e prekura nga tërmeti në Bubq të Fushë Krujës.

Mes tyre ka qenë edhe ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit Gianni De Basi, i cili u shpreh se me zemër ndihet shqiptar dhe kjo që ka ndodhur i ka prekur të gjithë.

Ndërkohë që ish-lojtari i kombëtares Ervin Skela thotë se jo që pa me sy në terren sot në Bubq ishte më e rëndë nga ajo që ka parë në televizor. “Më bëhet mishi kokrra kokrra kur shikoj këpucë fëmijësh këtu…. këtë gjendje. Zoti u dhëntë forcë, është më rëndë nga ajo që kemi parë në televizor” tha ai.

Disa prej lojtarëve veteranë nuk i kanë mbajtur dot lotët përballë gjendjes që ndodhet ky fshat. Zona e Bubqit është ndër më të prekurat nga tërmeti, pasi 170 familje janë në çadër nga shembja e banesave.