Lazio vazhon sezonin fantastik, duke shënuar fitoren e dhjetë radhazi, një rekord ky absolut për klubin bardhekaltër. Triumfi 1-0 kundër Napolit i lejon skuadrës së Simone Inzaghi të mbajë ritmin e favoritëve në garën për titullin kampion. Nëse në këtë kampionat të Serie A flitet në këtë mënyrë për Lazio, një meritë ka edhe Thomas Strakosha.
Strakosha
Portieri i kombëtares shqiptare konfirmoi formën e shkëlqyer në ndeshjen e së shtunës, duke marrë edhe vlerësimin maksimal nga mediat italiane. “Tre ndërhyrje deçizive ndaj Insigne. Shumë mirë edhe kundër Milik”, lexohet në komentin që shoqëron notën shtatë të Strakoshës. Me Gattuso në pankinë, Elseid Hysaj ka rigjetur hapësirat në formacion. Ndeshja e dytë radhazi nga minuta e parë me Napolin, por ashtu si skuadra e tij, edhe kapiteni I kombëtares shqiptare nuk po gjen ritmin e duhur.
Hysaj
“Në pjesën e parë vuan inkursionet e Luliç, por gjithsesi ruan qetësinë. Më mirë në pjesën e dytë”, është komenti për Hysaj, të vlerësuar me notën 5.5. Një paraqitje mbi mesataren ka bërë edhe Berat Gjimshiti në barazimin 1-1 që Atalanta arriti në transfertën e Interit.
Gjimshiti
“Jo gjithmonë preçiz, por merr masat me kalimin e minutave”. Janë këto fjalët që shoqërojnë notën 6 për mbrojtësin shqiptar, titullar fiks me Atalantën.