Targat inteligjente me çip janë një realitet dhe pritet të zbatohet në të gjithë Shqipërinë. Momentalisht targat teknologjike po pilotohen në Tiranë dhe Durrës.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një interviste televizive, të premten, u shpreh se përdorimi i targave teknologjike do të përdoren për të shmangur përdorimin e makinave në kryerjen e krimeve në vend, mjeteve do t’u instalohen targa me çip që nuk hiqen dot.

“Këtë vit duam të fusim targat inteligjente, targa teknologjike që nuk mund të hiqen, po fillojmë të pilotojmë një teknologji që bazohet në targat me çip, me 3 targa, dy jashtë dhe një brenda që edhe nëse hiqen targat brenda, kjo brenda nuk mund të hiqet kurrë, kjo parandalon këmbimin apo ndërrimin e targave”-, tha Lleshaj.

“Ky projekt me targa teknologjike po pilotohet fillimisht në Tiranë dhe Durrës dhe duam ta shtrimë këtë vit në të gjithë vendin. Kjo me qëllim që ta heqim mundësinë e përdorimit të mjeteve të vjedhura për kryerjen e krimeve. Në disa krime në Shqipëri janë përdorur mjete që vidhen apo që i ndërrohet targa dhe më pas digjen. Kjo metodë do ndihmojë në eliminimin e kësaj mundësie dhe identifikimin e automjeteve që përdoren për krime të ndryshme”, theksoi Lleshaj.