Napoli edhe zyrtarisht e ka transferuar Matteo Politanon nga Interi, në një marrëveshje huazimi 18-mujor me detyrim për ta blerë përfundimisht.Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, njoftoi në rrjetet sociale për transferimin e anësorit italian, pas arritjes së marrëveshjes me Interin, transmeton Gazeta Express.

Napoli do t’ia paguajë Interit 2.5 milionë euro për ta mbajtur Politanon në huazim për 18 muajt e ardhshëm dhe do të jetë i detyruar ta blejë atë për 19 milionë euro plus 2 milionë të tjera bonuse në përfundim të huazimit.Ai do ta bartë fanellën me numrin 21 në klubin napolitan dhe do të marrë pagë vjetore 2.2 milionë euro.“Jam i lumtur dhe i gatshëm për aventurën e mrekullueshme në një qytet kaq të bukur me shumë tifozë. Mezi pres të zbres në fushë duke bartur këto ngjyra”, tha Politano pas transferimit në Napoli.