Nga Alfred Peza/

Përtej cic mic-eve të ditës, që më shumë rreken të ushqejnë me lajme mediat sesa të prodhojnë realpolitikë, të gjitha partitë kryesore në Shqipëri kanë nisur që tani në fillimet e 2020, përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2021. Kjo me sa duket është edhe arësyeja, se përse pas rikthimit të opozitës në sistemin politik të vendit përmes tryezës së reformës elektorale, makina e madhe e politikës sonë duket sikur po punon në vakum. Ky boshllëk sa vjen dhe bëhet gjithnjë e më i madh me kalimin e javëve, nga mungesa e aksioneve, programeve, nismave, aleancave, produkteve e ideve të reja politike, ballafaqimeve dhe lëvizjeve të forta që i japin impulse, nerv dhe krijojnë një dinamikë të re në skakierën e madhe kombëtare.

E gjitha çfarë duket se po ndodh aktualisht, është një antidotë e atmosferës së një viti më parë kur PD, LSI dhe aleatët e tyre parlamentarë nisën që të ngrinin temperaturat politike përmes protestave, takimeve, debateve të forta televizive, konferencave, thirrjeve, qëndrimeve gjithnjë e më “in extremis” të cilat çuan në mesin e shkurtit në dorëzimin e mandateve të të gjithë deputetëve që ndodheshin në Parlament dhe daljen e tyre nga sistemi politik e demokratik i vendit. Vijimi i kësaj historie dihet tashmë, sikundër edhe fundi i saj, që përkoi me nisjen e këtij viti të ri kalendelarik. Deri në pranverë në planin ndërkombëtar pritet që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të kuptojnë nëse do të çelen apo jo negociatat për anëtarësimin në BE. Ndërkohë që angazhimet në kuadër të Presidencës së OSBE për këtë vit, kanë nisur që ta vendosin politikën tonë të jashtme në një kuotë cilësisht të re, që në ditët e para të këtij viti.

Në planin e brendshëm, projekti i madh i rëndërtimit të pasojave të tërmetit, është kryefjala e angazhimit të të gjitha burimeve të brendshme financiare dhe e resurseve të tjera qeverisëse dhe shtetërore. Mbajtja e Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt, do të qartësojë shumë dilema që lidhen me kohën dhe mënyrën e menaxhimit të pasojave të tmerrshme që solli për qarqet Durrës- Tiranë dhe Lezhë, tërmeti i 26 nëntorit. Parlamenti është i detyruar që të presë përgjigjet nga Komisioni i Venecias për disa nga çështjet më të debatuara vitin e kaluar, siç ajo për vendimin e Presidentit të Republikës për një nga anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetutese, apo për paketën “Anti Shpifje”. Deri atëherë, në Tiranë ka pak vend për intepretime dhe diskutime, ndaj edhe kjo thjeshtë sa shton lëvizjet bosh të ingranezheve të debatit publik.

PS prêt të mbylli procesin e zgjedhjeve të brendshme dhe mbajtjen e Kongresit të saj të radhës më 29 shkurt, kostituimin e Asamblesë së re Kombëtare, zgjedhjen e sekretariatit dhe Kryesisë së saj të re. Për të vijuar më pas nga muaji mars e tutje, me gjithë trupën e re të zgjedhur përgjatë këtij procesi, me punën parapërgatitore në terren tu bërë gati për fushatën e qershorit 2021, ku synon fitoren e mandatit të tretë qeverisës. Ajo që përflitet më shumë brenda kampit të opozitës, është nisja e parapërgatitjeve për realizimin e një strategji të re në planin propogandistik. Marrëdhëniet me mediat dhe me publikun, si një nga pikat më të dobëta të derisotme të PD dhe aleatëve të saj të tjerë, duket se do i lihet në dorë këtë herë “skifterëve të vjetër” që do ti lëvizin si gjithmonë fijet e kontributit të tyre “opozitar”, përmes duarve të tjera me ndihmën edhe të ekspertëve të huaj.

Organizimi digjital, rrjetet sociale dhe mediat online, duket se do të jetë fokusi edhe risia e opozitës së Lulzim Bashës këtë herë. Por e gjitha kjo duket një qasje shumë e “vjetëruar” përballë një mazhorance, e cila ka shumë vite që operon me një sukses të dukshëm politik dhe elektoral, duke bërë diferencën në këtë fushë. E qartë që tani është se ndryshe nga fushatat e tjera zgjedhore, për shkak të mësimit që kanë nxjerrë me sa duket edhe nga pësimi i madh i 30 qershorit të vitit të kaluar, opozita po i rikthehet metodave demokratike të garës dhe konkurimit elektoral. Sesa do ia dalë, kjo mbetet për tu parë. Lajmi i mirë është se nga rruga, opozita është rikthyer në sistem, duke vrapuar me sa mundet për të rikapur kohën e humbur!