Gjithnjë e më shumë Tirana po zë një vend të rëndësishëm në rajon për mbështetjen që i krijon startupeve. Akseleratori i parë në Shqipëri Uplift Albania në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës përzgjodhi fituesit e programit të parë 6-javor të akselerimit pjesë e të cilit ishin 7 startupe nga Shqipëria, Kosova dhe Rajoni.
Përpjekjet disa mujore të startupet dhe ekipit të Uplift Albania u finalizuan në ditën “Demo-Day” ku përballë një audience si Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi, deputeti Niko Peleshi dhe investitorëve Peter Kolesar, Boris Zeleny, Marin Gjonaj, Eva Simokova Zhabevsa Muratovska dhe Stephen Kelly u shpallën fituesit e Uplift Albania.
Akseleratori i parë në Shqipëri i cili tërhoqi vëmendjen e mëse 50 startupeve nga 6 vende të rajonit dhe 9 industri të ndryshme vjen si fryt i një bashkëpunimi të ngushtë mes ICTSmedia, SOVVA dhe me mbështetjen e SlovakAid.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj vlerësoi përpjekjet e ICTS media në fushën e teknologjisë dhe informacionit ndërsa bëri thirrje për përfshirjen edhe të universiteteve në nisma të tilla si Uplift Albania. “Shqiptarët janë të gatshëm të flasin por jo të dëgjojnë. Por në ICTSmedia ka njerëz që janë të gatshëm të dëgjojnë” theksoi Kryebashkiaku Veliaj.
“Duke u bërë bashkë të ndihmojmë talentet tona me mbështetjen e komunitetit kështu mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm,” tha bashkëthemeluesi i ICT Awards z. Kushtrim Shala në fjalën e tij hapëse të “Demo-Day.” Z. Peter Kolesar, partner në CIVITTA dhe një prej mbështetësve të Uplift Albania tha se pasioni për progres dhe inovacion janë dy të përbashkëta të mëdha mes dy vendeve tona. “Akseleratorët mund të sjellin ndryshim për vendin dhe Uplift po e bën këtë në Sllovaki ndërsa potenciali për të bërë të njëjtën gjë në Shqipëri ekziston,” tha gjatë fjalës së tij.“Demo-Day” i parapriu një aktivitet paralel Investor Connect ku secili startup pati mundësinë për të komunikuar me investitorët përgjatë 7 minutave në formatin Speed Dating. Startupet shqiptare të shndërruara në kompani dhe që kanë arritur njohje dhe sukses ndërkombëtar janë të pakta me qasjen tradicionale ndaj biznesit që mbetet predominuese në Shqipëri.