Administrata e presidentit Trump njoftoi të enjten rregulla të reja mbi vizat për të kufizuar atë që njihet si “turizmi i lindjeve”. Sipas rregullave të reja Shtetet e Bashkuara mund t’u mohojnë vizat turistike grave shtatzëna nëse zyrtarët konsullorë përcaktojnë se ato do të udhëtojnë me synimin për të lindur në Shtetet e Bashkuara, gjë që do t’u siguronte fëmijëve të tyre shtetësinë amerikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Ardita Dunellari sjell hollësitë.
Në vitin 2018, Zëri i Amerikës foli me Nailya Valievan, kompania e së cilës me qendër në Florida, “Happy Baby”, organizonte udhëtime në Shtetet e Bashkuara për nënat e ardhshme, duke i ndihmuar me gjetjen e mjekëve dhe një vend për të qëndruar në këmbim të mijëra dollarëve.
“Nuk është e paligjshme të vish në Miami për të lindur fëmijë. Shumë njerëz e pranojnë që kujdesi shëndetësor në Shtetet e Bashkuara është një nga më të mirët në botë dhe klima është fantastike. Nënat kanë gjithçka që u nevojitet dhe gjërat janë mjaft të lehta”, tha ajo.
Por administrata e Presidentit Trump dëshiron t’i japë fund të ashtuquajturit “turizëm të lindjes”, duke njoftuar të enjten se udhëtimi në Shtetet e Bashkuara me “qëllim kryesor marrjen e nënshtetësisë amerikane për fëmijën përmes lindjes” është një arsye e papranueshme për marrjen e një vize amerikane.
Departamenti i Shtetit thotë se masa e re ka për qëllim të mbrojë shtetësinë amerikan nga shfrytëzimi i padrejtë.
Por analistja e çështjeve të Emigracionit Sarah Pierce thotë se ajo nuk sheh ndonjë ndikim pozitiv nga politika e re, duke theksuar se edhe praktikat e deritanishme u japin zyrtarëve konsullorë amerikanë autorizimin për të mohuar vizat turistike për një numër çështjesh, përfshirë dyshimin për të ashtuquajturin “turizëm të lindjes”.
“Kjo në të vërtetë shton presionin mbi zyrtarët për t’u siguruar që gratë nuk po vijnë në Shtetet e Bashkuara për të lindur. Por të gjitha këto rregulla tashmë ekzistojnë”.Në vitin 2018 Katerina Khramerova një shtetase ruse tha se për të ishte thjesht më e lehtë që të lindte në Shtetet e Bashkuara.
“Shtatzënia shihet si sëmundje në Rusi. Ju duhet të shkoni të shihni mjekun gjatë gjithë kohës, të bëni një milion teste. Këtu në Shtetet e Bashkuara është e lehtë. Bën një ekografi, dëgjon rrahjet e zemrës së foshnjës dhe je e lirë deri në vizitën mjekësore të radhës”.Kufizimet e administratës së Presidentit Trump ndaj turizmit të lindjeve nuk janë një gjë e re.Dhjetorin e kaluar një grua kineze u dënua për mashtrim me vizat amerikane, duke vënë në funksion një skemë e cila ndihmonte gratë kineze të merrnin viza turistike për të lindur duke u siguruar shtetësinë amerikane foshnjave të tyre të porsalindura.Presidenti Trump ka bërë fushatë për ashpërsimin e politikave kundër imigracionit dhe ai mendon se vënia nën shënjestër e turizmit të lindjeve mund të jetë një çështje fituese politike për të zgjedhjet e nëntorit.